Lajme

Osmani dhe Konjufca përkujtojnë Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën

Sot janë shënuar 41 vjet që nga vdekja e Isuf e Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës.

Në përkujtim të tyre, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kanë shkuar në Dubovik, në vendlindjen e vëllëzërve Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut.

“Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar. Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut”, shkroi Osmani.

Osmani në fund pati edhe disa fjalë për jetën dhe veprimtarinë e Jusuf Gërvallës.

“Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët”.

Kujtojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se 17 janari i lidhë tre viganët e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallen, Kadri Zekën, dhe Skënderbeun.

Vlen të theksohet se sot është edhe 555 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

/Shqip.com