Lajme

Osmani dekoron pjesëtarët e FSK-së që morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi.

Në fjalën e saj ajo është shprehur se Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar se jo vetëm që është e gatshme t’i mbrojë kufijtë e Kosovës por edhe t’u dalë në ndihmë shteteve.

“Përpjekjet humanitare të ushtrisë sonë jo vetëm që i kanë ndihmuar njerëzit tanë por gjithashtu kanë dëshmuar kapacitetet e shtetit tonë për t’u dalë në ndihmë miqve. Veprimet e tyre kanë treguar se ushtria jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë ndaj kërcënimeve të jashtme por gjithashtu është e përkushtuar për t’i ofruar mbështetje edhe kombeve mike”, tha Osmani.

Në anën tjetër, ambasadori i Turqisë në Kosovë, falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën e dalë pas tërmetit në shtetin e tij.

“U jemi mirënjohës popullit të Kosovës për ndihmën e ofruar popullit tonë. Ky akt tregon se miqësia jonë është e fuqishme dhe solide, prandaj ju falënderoj të gjithëve”, tha ambasadori turk në Kosovë.

Ushtarët e FSK-së u rikthyen nga operacioni i kërkim-shpëtimit gjatë mbrëmjes së kaluar.

/Shqip.com