Lajme

Osmani cakton 23 prillin për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Presidentja Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.

Sipas saj, shtyrja e zgjedhjeve ishte e nevojshme pasi rrezikohej legjitimeti i tyre pasi asnjë prej organizatave vendore e ndërkombëtare nuk është paraqitur për t’i vëzhguar ato.

“Bazuar në këto vlerësime, përfshirë raportin që kam marrë nga institucionet sigurisë, propozimi im sot në këtë takim ishte që të shtyjmë zgjedhjet për kryetarë komunash në këto katër komuna si dhe për Kuvende Komunal në dy komuna“, deklaroi Osmani.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ishin planifikuar të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

/Shqip.com