Lajme

Osmani bisedon me homologun izraelit për thellim të bashkëpunimit

Presidentja Osmani bisedoi me presidentin e Izraelit Isaac Herzog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të zhvilluar të enjten bisedë telefonike me homologun e Izraelit, Isaac Herzog, përcjell Shqip.com.

Siç është bërë e ditur në njoftimin e Presidencës, ajo e ka uruar presidentin Herzog për pranimin e detyrës dhe ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin në fushën e politikës, tregtisë, arsimit, energjetikës dhe mbrojtjes.

“Nga ana tjetër, presidenti Herzog shprehu falënderimin për krijimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e raporteve bilaterale.

Më tej, në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani potencoi se raporti i Kosovës me Izraelin është i hershëm dhe daton nga periudha e Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët në Kosovë mbrojtën hebrenjtë, ndërsa presidenti Herzog nënvizoi mbështetjen e shtetit të Izraelit për refugjatët shqiptarë nga lufta në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.

Në fund bëhet e ditur se Osmani dhe Herzog janë pajtuar për komunikim të mëtejmë dhe në realizimin e vizitave përkatëse në Kosovë dhe Izrael./SHQIP.com