Lajme

Osmani bën thirrje për mbylljen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës e Serbisë

Kreydiplomati maqedonas, Bujar Osmani

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesues i radhës i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, u bëri thirrje të premten Kosovës dhe Serbisë të zgjidhin sa më parë mosmarrëveshjet në një kohë kur bota po përballet me ndryshime gjeopolitike.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi Kosova dhe Serbia zhvilluan takime në Bruksel me të dërguarin e posaçëm për bisedimet, Miroslav Lajcak, pas të cilëve palët nuk qenë në gjendje të raportojnë ndonjë përparim.

“Ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet për të mbyllur temat e mëdha në rajon për shkak se zhvillimi i gjeopolitikës në përgjithësi nuk shkon në favor të vendeve të rajonit. Prandaj ky do të ishte mesazhi im edhe si kryesues i OSBE-së, edhe si ministër i një vendi anëtar të NATO-s, një vend që negocion me Bashkimin Evropian, që t’i inkurajoj pra palët të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike”, tha Osmani.

/Shqip.com