Lajme

Osmani: Anëtarësimin në BE dhe NATO e shohim si garanci për siguri dhe paqe të qëndrueshme në rajon

Presidentja Vjosa Osmani në Samitin që po mbahet në Mal të Zi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke marrë pjesë në Samitin për Demokraci të Evropës Juglindore me temën “Lufta në Evropë ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi.

Në këtë samit, Osmani ka thënë se anëtarësimin në NATO, Kosova e sheh si garancë më të mirë për paqen afatgjate në rajon.

“Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se qytetarëve të Kosovës dhe rajonit i nevojitet garanci sa i përket perspektivave integruese dhe se synimi është po ashtu dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.


“Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci  sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, thuhet në komunikatë.

Sipas Komunikatës nga zyra e presidences, Osmani ka thënë se duhet kujtuar që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë aktive.

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”.

Osmani në Samitin që po mbahet në Mal të Zi

Ndërsa, sa i përketë luftës në Ukraina ajo kishte thënë se kjo gjendje është kërcenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së kontinentit tonë si dhe përpjekje për të sulmuar çdo gjë që ka ndërtuar aleanca transatlantike.


“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”.

Osmani potencoi se Kosova i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet e tjera demokratike. Si dhe është shprehur e gatshme të japin edhe më shumë nëse është e nevojshme.

“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare./Shqip.com