Lajme

Organizatori i protestës kundër shtrenjtimit të rrymës: Partitë opozitare deshën të na bashkohen, i refuzuam

Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës.

Organizatori i protestës të së mërkurës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Dibran Hoxha, tha se kanë pasur kërkesa nga disa parti opozitare për t’u bashkuar në këtë protestë, përcjell Shqip.com.

Por, ai thotë se i kanë refuzuar për shkak se ato janë nën petkun politik, duke shtuar se do t’i pranonin vetëm nëse do merrnin pjesë si qytetarë.

“Kemi pasur disa kërkesa që disa parti opozitare të na bashkohen por ne jemi grup i aktivistëve të shoqërisë civile dhe i kemi refuzuar kategorikisht për aq sa ata janë brenda partive politike, nëse vijnë në rolin e qytetarëve pa ombrellë partiake atëherë i pranojmë. nuk jemi e as nuk kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me ta sepse edhe opozita në njëfarë forme ka faj që jemi në këtë gjendje”, tha Hoxha në Klan Kosova.

Lexo edhe:
Sot mbahet protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të energjisë

Sipas tij, kjo protestë do organizohet nga shoqëria civile dhe se beson që qytetarët do t’i bashkohen asaj, pasi që “afekton jetën e tyre”.

Ndryshe, protesta do të mbahet nga ora 12:00 duke nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është paralajmëruar nga Qeveria për shkak se “Kosova po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘B’”.

Lidhur me këtë, ZRRE ka propozuar rritje të çmimeve për amvisëritë për 9 për qind, teksa Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e një pjese të faturave të energjisë.

Sipas propozimit të ZRRE-së, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Konsumatorët në kategorinë A, nëse gjatë një muaji shpenzojnë 300 kilovatë orë energji elektrike, çmimi aktual është 18.87 euro, dhe propozimi është që ajo të rritet në 29.66 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë, fatura do të mbetet 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Konsumatorët në “C” që do të thotë se shpenzojnë 600 kilovatë, çmimi aktual i faturës është 35.86 euro, e që me propozimin e ZRRE-së, fatura rritet në 38.92 euro, por që me subvencionimin e Qeverisë mbetet 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro./SHQIP.com