Opsioni i fundit

Te Atletico Madrid ishte i pazëvendësushëm. Ofertat nuk i munguan.
Vendosi që t’i bashkohej Chelseat, por ndeshjet po i shikon nga stoli.
Saul Niguez është duke kaluar formën më të dobët – në vitet e fundit.
Mesfushori spanjoll nuk është duke gjetur hapësira asesi në formacionin e Thomas Tuchel.
Trajneri gjerman ka preferuar futbollistë si Jorginho, Kante dhe Kovacic, në disa raste edhe Loftus-Cheek, teksa Saul ka mbetur opsioni i fundit.
27 vjeçari e ka djersitur vetëm gjashtë herë fanelën e Chelseat në Premierligë – pa arritur të lë ndonjë shenjë. Asnjë gol, asnjë asistim.
Madje, në ato takime – ai u bë viral në rrjetet sociale – me fansat londinez duke i kritikuar performancat e tij.
Në të njëjtën situatë ka kaluar edhe në Ligën e Kampionëve, ku ka zhvilluar tri paraqitje. Pa gol, pa asistime.
Siq duket – ndërrimi i ambientit nuk i ka bërë mirë.

Niguez është në formë huazimi deri në fund të sezonit, teksa Chelsea ka mundësinë e blerjes së tij – duke paguar 30 milionë euro.
Por, me shumë gjasë – ai do të rikthehet përsëri në La Liga – ku minutazhi dhe shkëlqimi nuk i ka munguar nën urdhërat e Diego Simeones. /Shqip.com