Lajme

Opozita zhvendos “betejën” te Kryesia e Kuvendit, deputetët e PD nuk lejojnë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve

Opozita shqiptare zhvendos “frontin e betejës”te Kryesia e Kuvendit, dy ditë pas incidenteve në sallën e Parlamentit. Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar në ambientet e Kryesisë, ku është parashikuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Në kryesinë e Kuvendit ndodhen edhe deputetët e opozitës. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, do të bëhet prezantimi i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete.

Shumica e deputetëve të opozitës ndodhen tashmë në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Brenda kryesisë së Kuvendit ndodhet gjithashtu edhe Gazment Bardhi, i cili është i përjashtuar me 10 ditë. Bardhi ka tentuar të hyjë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Deputetët e opozitës, përkatësisht mbështetësit e Sali Berishës dhe të Gazment Bardhit, duan të bllokojnë edhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Demokratët kanë vendosur që veprimtaria parlamentare të bllokohet deri në momentin kur mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre siç janë komisionet hetimore si dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Bardhi është mes pesë deputetëve të opozitës të përjashtuar nga Kuvendi.

Nisur nga kaosi i krijuar mësohet se deputetët e mazhorancës, po shikojnë ambiente të tjera brenda Kryesisë së Kuvendit për ta zhvilluar këtë mbledhje pa opozitën.

/Shqip.com