Lajme

Opozita skeptike në punën e Qeverisë për deeskalim të situatës në Veri

Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE
Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE

Në fund të gushtit bëhen dy muaj që kur Kosova është nën masa nga Bashkimi Evropian, shkaku i tensioneve në Veri. Anëtarët e Komisionit për Integrime, kanë dyshime në punën e qeverisë dhe synimin që të mbërrihet tek depërshkallëzmi.

Këto pamje u bënë shkas që gati dy muaj më parë, Kosova të ndëshkohet nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

E  për punën që po bëhet në largimin e masave dhe plotësimin e kërkesave BE-së nga ana e qeverisë, dyshime kanë anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane.

Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi, këtë e ndërlidhë me nismën që deri tek zgjedhjet në katër komunat në veri, të mbërrihet përmes peticionit.

“Nëse vendoset më shku në zgjedhje ish dasht mu hek sanksione por nuk mundesh pasi ende nuk janë shpallur zgjedhjet dhe kryetarët vazhdojnë të jenë në ato komuna dhe procesi i peticionit do të merr kohë dhe do të vonoj procesin e shpalljeve të zgjedhjeve. Duhet të ulen e të dakordohen që të japin dorëheqje ata kryetarë dhe të shkojë çdo gjë më shpejtë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, Kryetare e komisioni në LDK.

Edhe anëtaraja tjetër e këtij komisioni, Time Kadrijaj, përmend komplikimet nga ky proces.

“Sa është kushtetuese dhe cila është forma që duhet të dorëhiqen apo të shkarkohen këta kryetarë nuk dihet pasi mund të kemi pasoja ligjore ose kushtetuese, nëse kjo bëhet dhe e cenon kushtetutën ne sërish do të kemi zvarritje të procesit”, ka deklaruar Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit, nga AAK, raporton Dukagjini.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë muajit korrik ishte pajtuar në Bratisllavë që të realizoj kërkesat e BE-së për deeskalim të situatës në Veri,  përmes largimit të policisë e shpalljeve të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Deri tek zgjedhjet e reja në katër komunat në veri, synohet që të mbërrihet përmes peticionit, që parashihet në nenin 72 të Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, për çka Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur punën në nxjerrjen e një udhëzimi administrativ.

/Shqip.com