Lajme

Opozita: Shkaku i numrave s’po kemi ndikim në vendimmarrje

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e partitive opozitare në Kuvendin e Kosovës janë shprehur se për shkak të numrave ata nuk po mund të kenë ndikim në vendimmarrje.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku thotë se si parti janë konstruktiv dhe se janë duke e dhënë kontributin e tyre përmes mediave dhe Parlamentit.

“Me këta deputet që jemi ne si opozitarë sigurisht që po e japim fjalën tonë në Kuvend dhe unë dhe kolegët i kemi sektorët e ndarë dhe në përgjithësi jemi opozitë konstruktive dhe besoj shumë që kontributi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvend nuk është duke munguar, kjo është LDK-ja e vërtet dhe krejt kontributin tonë po e japim përmes deklarimeve tonë përmes mediave dhe përmes Parlamentit të Republikës”, tha ajo.

Bunjaku më tutje është shprehur se LDK-ja e ka gjithmonë qëndrimin e tyre por që kjo nuk do të thotë se nuk ka bashkëpunim edhe me partitë tjera opozitare.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj thotë se opozita ka numra të limituar dhe që zëri i tyre deri më sot pak po zë vend në realizimet e plan-programit të Qeverisë.

“Opozita ka numra të limituar brenda, pozita është me numra solid kështu që zëri i opozitës deri më sot pak po zë vend në realizimet e plan programit të tyre, deri më sot as një propozim i opozitës nuk ka zënë vend dhe mbështetje nga ana e opozitës dhe nuk ka depërtuar më tutje”, tha ai.

Ai shtoi se si parti bashkëpunojnë me partitë tjera opozitare por që në numër janë të limituar dhe se mundësia e ndikimit tek pozita është e vogël.

/Shqip.com