Lajme

Opozita: Shëndetësia buzë kolapsit

Opozita

Që nga koha kur Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë janë bërë dy muaj.

Që nga kjo kohë, Ministria ka mbetur pa zot shtëpie. Lidhur me këtë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë theksuar se shëndetësia është buzë kolapsit.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se Qeveri ka hequr dorë nga sektori i shëndetësisë dhe në mungesë të vendimmarrjes qoftë për ta emëruar një ministër ka mbetur peng për shkak të grupeve të interesit brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjendja në shëndetësi është buzë kolapsit. Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Nuk kemi parë veprim të qeverisë dhe ajo duket se ka hequr dorë tërësisht nga sektori i shëndetësisë dhe mungesë të vendimmarrjes qoftë për ta emëruar një ministër e cila ka mbetur peng për shkak të grupeve të interesit brenda Lëvizjes vetëvendosje”, është shprehur Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj thotë se mosemërimi i ministri është pjesë e pazareve politike.

“Situata në shëndetësi nuk ka qenë asnjëherë më keq sesa tani. Ballafaqohemi me shumë probleme. Kemi pasur mundësi ta bëjmë, por ka munguar vullneti politik. Këto janë pazare politike, por pres që shumë shpejt ta kemi ministrin”, është shprehur Dreshaj.

Pas dorëheqjes së Latifit, Dafina Gexha – Bunjaku është emëruar si ushtruese e detyrës së ministres, deri në një vendim të ri.

/Shqip.com