Lajme

Opozita nuk merr pjesë në dëgjimin publik për Byronë Shtetërore

Partitë opozitare nuk janë duke marrë pjesë në dëgjimin publik të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të pranishëm përveç anëtarëve të Komisionit për Legjislacion nga partia në pushtet, aty është edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përfaqësues të institucioneve të ndryshme e të Shoqërisë Civile.

Haxhiu tha se tha opozita duhet të ishte prezentë, pasi sipas saj, kanë pasur kritika për projektligjin.

Ajo tha se “ideja është ta bëjmë një projektligj i cili është i zbatueshëm dhe jo të keqpërdoret”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

“Opozita nuk merr pjesë në këtë dëgjim publik kur kanë pasur kritika për një projektligj të tillë. Është dashur të marrin pjesë në dëgjime publike kur kanë pasur kritika. Kryetari para votimit të parë e ka dërguar në Komisionin e Venecias. Ideja është ta bëjmë një projektligj i cili është i zbatueshëm dhe jo të keqpërdoret.

Kemi konsideruar ta bëjmë punën bashke me Komisionin për Legjislacion. Ministria e Drejtësisë për zgjedhjen e drejtorit është bazuar nga praktikat ligjore dhe të zgjidhet nga Kuvendi. Nuk jam në dije për propozime nga Shoqëria Civile, por do t’i ndihmonin Grupit Punues ta bëjnë zgjidhjen më të mirë. Me stafin profesional do të jemi pranë Grupeve Punese për të dhënë maksimumin”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 14 korrik e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Këtë projektligj e kanë votuar pro 61 deputete dhe 58 të tjerë kundër si dhe 3 nga abstenuan.

“61 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. 58 vota janë për, 3 deputetë kanë abstenuar, kështu që konstatoj se Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ky i fundit bashkë më deputetja Doarsa Kica abstenuan.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se “jemi të gatshëm të vazhdojë procesi i konsultimeve me të gjitha partitë”.

Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, bën verifikim e pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë./SHQIP.com