Lajme

Opozita kritikon Qeverinë për mosmbylljen e AKP-së

Opozita

Dy partitë opozitare në Kosovë, LDK dhe PDK kanë kritikuar Qeverinë lidhur me premtimin për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha për EO se në fushatën elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje ishte premtuar se ndër veprimet epara që ata do të bënin sa po të merrnin pushtetin ishte mbyllja e këtij agjencioni i cili ende është funksional.

“Kjo Qeveri me ardhjen në pushtet, pra edhe pjesë e programit qeverisës po edhe pjesë e programit zgjedhor të kësaj partie gjatë fushatës së kaluar ka qenë që privatizimi qenka i dështuar si proces në Kosovë, prandaj dhe AKP-ja si agjencion përgjegjës për procesin e privatizimit duhet mbyllur sipas kësaj Qeverie dhe do të ishte një nga hapat e parë që do të merrte kjo Qeveri ose kjo parti sa po të vinte në pushtet”, tha Mustafa.

Mustafa thotë për AKP-në që është ofruar më shumë tek kryeministri duke kaluar si pjesë e zyrës së tij.

“Tanimë jemi në prag të dy vjetorit të kësaj partie në pushtet të kësaj Qeverie dhe AKP-ja nuk është mbyllur, në fakt është afruar edhe më shumë tek kryeministri i Kosovës, pra ka kaluar si pjesë e zyrës së kryeministrit duke raportuar drejtpërdrejtë kryeministrit dhe gjatë këtyre dy viteve në pushtet të kësaj partie, AKP-ja vazhdon procesin e privatizimit të aseteve shoqërore të Republikës së Kosovës dhe tashmë nën drejtim të vet kryeministrit të Kosovës sepse thashë që kryeshefi i AKP-së tanimë i raporton kryeministrit të Kosovës”.

Mustafa tha se procesi i privatizimit po vazhdon edhe më tutje dhe sipas tij, Qeveria Kurti ka mashtruar edhe me krijimin e fondit sovran.

“Pra thënë ndryshe, thënë më shkurt dhe më shqip, privatizimi i aseteve shoqërore në Republikën e Kosovës, tanimë po vazhdon me hovin e njëjtë me ato valët e privatizimit, nën udhëheqjen e vet kryeministrit të Kosovës, si për të hedhur pra për të krijuar një mjegull për t’i hedhur qytetarëve hi në sy, u lind edhe ose doli edhe ideja e një fondi sovran që do të mblidhte asetet siç i quajtën këta, strategjike nga AKP-ja për të krijuar një fond tjetër. E as ky nuk është gjëkundi ajo që është edhe më e keqja se nuk kemi asnjë sqarim të mirëfilltë në këtë fond sovran, pra edhe pse nuk ekziston ende, nuk kemi asnjë sqarim të veçantë ose më të detajuar mbi këtë fond sovran se çka nënkupton ky”, u shpreh tutje Mustafa.

Njëjtë mendon edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i cili ndonëse thotë se është proklamuar në kohë fushatë që të mbyllet AKP-ja, e njëjta është po zhvillohet tutje. “Kjo lidhte me shumë propaganda, shumë fushat të VV-së në të kaluarën edhe në programin që e ka pasur edhe ajo që do të mbyllë Agjencionin e Privatizimit të Kosovës. Që në fakt jo që nuk po e mbyll por po e zhvillon më tutje dhe duke parë që ka edhe valë të tjera të privatizimit pe shohim që nuk e ka as ndërmend që të mbyll por të keqpërdor tash më numrin e madh dhe me mundësinë që të kap çdo institucion dhe dihet fare mire që ky institucion është i vendosur nga vetë VV-ja me bordin dhe emërimin e tyre në atë bord”, tha ai.

Sipas Lushtakut, AKP-ja, po keqpërdoret teje mase, sikurse institucionet tjera.

“Nuk është vetëm çështja e punësimit, por dëmi që mund t’i behët çdo institucioni që po e menaxhon VV-ja po e keqmenaxhon me dashje apo pa dashje duke pruar humbje të mëdha për buxhetin e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk po e lënë mangu as AKP-ja. Ka qenë edhe në planifikim që të mbyllet vetë AKP-ja, kjo nuk ka qenë vetëm politikë e VV-se po ka qenë e institucionalizuar në aspektin praktik të institucioneve të Kosovës. Po keqpërdoret teje mase duke pasur parasysh që VV-ja e ka mundësinë për të keqpërdorur edhe me këtë institucion”, u shpreh ai.

Tutje, Lushtaku tha se në faza afatshkurta, AKP-ja do të duhej të mbyllet ligjërisht.

/Shqip.com