Lajme

Opozita kërkon të shkarkohet, Gërvalla s’tërhiqet nga deklarata

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka hequr dorë nga deklarata në Dubrovnik ku tha se pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”.

Gërvallës në krah po i dalin edhe deputetë të partisë në pushtet, ndryshe nga përfaqësues të opozitës të cilët e kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të saj ose edhe shkarkimin për deklaratën të cilën e cilësojnë skandaloze dhe të pa-nevojshme.

Ministrja e Jashtme po vazhdon të besojë se nuk ka gabuar kur Bashkimin Evropian e ka cilësuar “Tigër prej letre”.

Kryediplomatja e shtetit që synon anëtarësim në BE përmes një postimi në “Facebook” ka ringritur pyetjen se: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

Po kësaj pyetje ministrja Donika Gërvalla përmes një teksti të gjatë i është kundërpërgjigjur ashpër opozitës duke i cilësuar pa dinjitet, pa strategji, plan e pa vizion.

Në linjë me Gërvallen ka qëndrim edhe deputeti i koalicionit, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thotë se edhe brenda BE-së ka vet-kritikë të ngjashme, prandaj kërkon të mirëkuptohen kritikat e Gërvallës.

“Që në ditën e parë që ka ardhë ka pasur një kërkesë për shkarkimin e Gërvallës. Unë besoj që ju duhet ta kuptoni edhe subjektet politike, të gjithë ata që mendojnë është që Gërvalla përfaqëson ca nga vlerat më të dëshmuara në shoqërinë tonë…Besoj që opozita edhe qarqet tjera duhet ta hedhin vëmendjen tek përmbajtja e politikës së jashtme, jo të tentojnë në çdo kohë të gjejnë ca gjëra të vogla mbi të cilën pastaj ta stigmatizojnë atë”, ka thënë Armend Muja, Deputet i LVV-së.

Mirëkuptimin të cilin po e kërkon Muja nuk po e ofrojnë nga opozita. Dy partitë më të mëdha opozitare, thonë se dorëheqja me vetiniciativë ose edhe shkarkimin duhet të jenë veprimet pas kësaj paraqitje.

“Nuk e mendoj që gjuha e tillë të sjellë përfitime, pavarësisht sjelljes së BE-së ndaj Serbisë ne nuk jemi ata që bëjmë vlerësimin dhe nuk jemi ata që duhet të ngutemi me deklarata të tilla, sepse nuk na shërbejnë”, ka thënë Ariana Musliu-Shoshi, Deputete e PDK-së.

“Përderisa një ministre nuk është më kredibil dhe ngritë dyshime deri në përmasa të themi zbehjes së marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me partnerët tanë është shumë e natyrshme që është në autoritetin e Kryeministrit që të ndërmarrë masa”, ka thënë Anton Quni, Deputet i LDK-së.

Quni dhe Musliu po kërkojnë shkarkimin e Gërvallës, por kolegu nga partia më e vogël opozitare synon shkarkimin e komplet Qeverisë.

“Ajo për sekretarin Blinken që është naiv, ka qenë një deklaratë tepër skandaloze e ke deklaratën të ministres së Punëve të Jashtme, dhe së fundmi e ki skandalin më të madh të mos-takimi të Kryeministri (Kurti) me kryeministrin Edi Rama…. Shihet se këtu nuk ka as diplomaci publike, as nuk ka ministri funksionale këtu është një katrahurë. Të mjerët ne ku ka rënë Kosova dhe në çfarë deregje është”, ka thënë Besnik Tahiri, Shef i GP-së së AAK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se mocioni për rrëzimin është diskutuar përbrenda bllokut opozitar, të cilët kanë gatishmëri mirëpo brengën e kanë se a bëhen votat.

/Shqip.com