Lajme

Opozita edhe nesër me skenar kaosi në Kuvend, pavarësisht nga vizita e Blinken

Vetëm pak orë para se Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken të prekë tokën shqiptare, të majtë e të djathtë do të përballen sërish në seancën e radhës plenare.

Deputetët do t’i drejtohen Kuvendit në një seancë e cila njëjtë si përgjatë 3 muajve të fundit pritet të ketë të njëjtin skenar: kaosin.

Në rendin e ditës është parashikuar të votohet ligji i shumë-debatuar i Basteve, i shtyrë në seancën e javës së shkuar, por duket se socialistët tashmë janë të bindur ta kalojnë, për t’i hapur rrugë rikthimit të tyre online.

Gjithashtu e parashikuar në rend të ditës është edhe interpelanca që PD zyrtare ka kërkuar me kryeministrin Edi Rama për Arben Ahmetajn, por kolegët e Rithemelimit kanë paralajmëruar sërish bllokim të Kuvendit e me gjasë nuk do të lejojnë as mbajtjen e interpelancës.

Edhe këtë javë, drejtuesit e aksionit të Rithemelimit, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi nuk do të jenë në seancë por për shkak të përjashtimit do ta ndjekin atë në oborrin e parlamentit.

Të përjashtuar janë edhe Ervin Salianji, bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Petrit Doda si dhe Edi Paloka, i cili mban rekordin e përjashtimit me 40 ditë.

/Shqip.com