Lajme

Opozita kërkon që liberalizimi i vizave të mos kushtëzohet me procesin e dialogut

Opozita

Deputetët e partive opozitare, PDK-së dhe AAK-së, e kanë quajtur të pakuptimtë faktin që liberalizimi i vizave të kushtëzohet me procesin e dialogut.

Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është e padrejtë që kosovarët të zhgënjehen në vend se të gëzojnë lëvizjen e lirë.

“Para së gjithash është e pakuptimtë që procesi i liberalizimit të vizave që ka qenë një proces i gjatë ku Kosova ndër vite ka bërë progres të kushtëzohet me çdo proces tjetër edhe me procesin e dialogut për të cilin ka pasur diskutime së fundi, por edhe me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Janë procese të ndara dhe është e padrejtë që Kosova të vendoset në dilemën nëse progresi në dialog duhet të përkthehet në regjim të lirë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës” ka thënë Deliu.

Sipas Deliut Kosova tashmë ka përmbushur 95 kritere të cilat kanë qenë të parashtruara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se po i bëhet padrejtësi Kosovës në këtë proces.

“Çështja e liberalizimit te vizave ka pasur kushte dhe kritere dhe dialogu janë dy çështje ndaras. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk kanë të drejtë as ata me përcaktuar kushte dhe kritere shtesë sa i përket çështjes së liberalizimit. Kjo është një padrejtësi që po i bëhet Kosovës ku ende po mbahen pa liberalizim të vizave. Kjo Qeveri është tepër jo transparente sa i përket procesit të dialogut”, ka thënë Kadriaj.

Nga këto dy parti opozitare vazhdimisht kanë kërkuar nga ana e kryeministrit Kurti që ai të vjen në Kuvend për të raportuar lidhur me procesin e dialogut

/Shqip.com