Lajme Ballkan

Opozita e quan “dorëheqje Facebooku” largimin e Zaevit

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Dorëheqja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po vlerësohet si “dorëheqje Facebooku” nga opozita e këtij vendi, transmeton Shqip.com.

Kjo për arsye se Zaev ende nuk ka dorëzuar dorëheqjen në Kuvendin e këtij shteti.

Me dorëheqjen e kryeministrit, bie edhe kabineti qeveritar – andaj udhëheqësit e opozitës po bëjnë thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, raporton AP.

Siç raportohet, nga kabineti i Stevo Pendarovskit thonë se presidenti do të veprojë sipas praktikës së deritanishme, ku Kuvendi fillimisht njofton presidentin për situatën e re dhe mungesën e ekzekutivit e më pas i pari i shtetit e cakton mandatarin e ri.

Zaevi e ka pranuar disfatën në garën më të rëndësishme pas zgjedhjeve parlamentare. LSDM-ja humbi garën për kryeqytetin, ku kryetari i deritanishëm, Petre Shilegov, u mposht nga sfiduesja e pavarur e mbështetur nga qendra e djathtë, Danela Arsovska.

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencë për shtyp

Përveç që nuk arriti të përfundojë mandatin e dytë të kryeministrit, Zaev nuk arriti të përfundojë as mandatin e tretë në krye të LSDM-së.

Kandidatët e mbështetur nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE duket se kanë fituar së paku gjysmën e 80 komunave të vendit. LSDM-ja ka fituar më pak se njëzet sosh.

Dorëheqja e Zaevit nga kjo pozitë vjen vetëm shtatë muaj nga rizgjedhja në muajin mars. Në zgjedhjet e fundit brendapartiake ai ishte kandidati i vetëm duke marrë mbi 59 mijë vota nga anëtarësia.

Sipas statutit të LSDM-së, zgjedhjet e parakohshme brendapartiake duhet të shpallen në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i funksionit. /Shqip.com