Lajme

Opozita e ndarë edhe për refugjatët, dy padi në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjes Rama-Meloni

Marrëveshja me Italinë për strehimin e emigrantëve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Edhe në këtë çështje, Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe Grupi Berisha-Bardhi janë të ndarë, ndonëse e kanë kontestuar fort. Të dy palët, si PD e Bashës, ashtu edhe grupi Berisha-Bardhi kanë depozituar dy padi në Gjykatën Kushtetuese.

Padia e Partisë Demokratike, si subjekt politik, mban datën 1 dhjetor dhe është firmosur nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku tha se kjo marrëveshje u shpall në mënyrë të çuditshme dhe se nuk ka pasur asnjë transparencë nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Marrëveshja u shpall në një mënyrë të çuditshme, e panjoftuar, zgjoi një reagim të logjikshëm shqetësimi, ka qenë objekt i thellë diskutimi debati publik në vend dhe Itali. Në dallim nga trajtimi i marrëveshjes në Itali, në Shqipëri ka munguar transparenca nga kryeministri. Rama ja ka dalë të fshihet herë duke përdorur kaosin parlamentar, duke shmangur debatin publik. PD si pas asaj që premtuan që në orën e parë, i është drejtuar GJK me tre kërkesa”, tha Çollaku.

Nga ana tjetër, po sot (6 dhjetor), Grupi i Berishës dhe i Bardhit ka çuar padinë për marrëveshjen në Kushtetuese. Padia mban firmën e 30 deputetëve, si atyre të Berishës edhe atyre të Bardhit, ndërsa dorëzimi u bë nga deputetja e Lezhës, Lindita Metaliaj e shoqëruar dy këshilltarët, Franci Nuri i Rithemelimit dhe Marash Logu i Gazment Bardhit. Në dyert e Gjykatës Kushtetuese, Metaliaj tha se duhet të shqyrtohet nëse protokolli pajtohet me Kushtetutën e vendin tonë.

“Kjo ka të bëjë me Ramën, që ka vendosur që Shqipërinë dhe shqiptarët ta trajtojë si pronë të veten. Ai nuk mund të vendosë për fatin tonë. Jemi falënderues dhe mirënjohës qeverisë italiane për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. S’ka të bëjë me marrëdhënien me Italinë, do jenë edhe më të mira, por presim vendimin e GJK se a pajtohet ky protokoll me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Metaliaj.

Në padinë e grupit Berisha-Bardhi, deputeti Tritan Shehu ka dalë kundër Berishës dhe nuk e ka firmosur, po ashtu edhe Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Sorina Kotin dhe Bujar Leskajn nuk e kanë hedhur firmën. Padisë i janë bashkuar edhe dy deputetët e Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho, por vihet re se mungon firma e Monika Kryemadhit.

Dy palët kanë depozituar padi të ndryshme, por në fakt thelbi i kërkesës së tyre ështi i njëjtë, duke kërkuar që marrëveshja të pezullohet me argumentin se është anti-kushtetuese.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Marëveshja kaloi dje në qeveri dhe do të kalojë në kuvend për tu ratifikuar.

Tre kërkesat e padisë së Partisë Demokratike

  • Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
  • Pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
  • Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.43/2016“Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshjes së së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.

Dy kërkesat e padisë së grupit Berisha-Bardhi

(i) Deklarimin e papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”, dhe ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

(ii) Pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.

/Shqip.com