Lajme

Opozita e kritikon Qeverinë për dialogun: Marrëveshja sa më shpejt, njohja e domosdoshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po kërkojnë urgjentisht që Qeveria që të fokusohet në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar stagnimin e këtij procesi të dëmshëm për vendin.

Sipas opozitës me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pra njohjen e ndërsjellët, Kosova do të kishte mundësi edhe për anëtarësim në institucione të rëndësishme.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se njohja e ndërsjellët duhet të jetë tema kyçe e këtij procesi.

“Dialogu është një temë kyçe, i shërben interesit të vendit dhe çdokush që beson që Kosova do të jetë shtet anëtar i OKB-së kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut Kosovë-Serbi. Unë jam i mendimit që dialogu për çështje teknike do të duhej të shndërrohej në një dialog politik dhe temë kryesore duhet të jetë çështja e njohjes së ndërsjellë”, ka thënë Hoxhaj.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Deputeti i PDK-së ka thënë se situata politike në Evropë shkon në favor të Kosovë, krejt kjo për t’i bërë presion Serbinë në përmbushjen e qëllimeve që nuk janë përmbushur siç thotë ai që 15 vjet.

“Situata gjeopolitike e re në Evropë është shumë e favorshme që ne të bëjmë presion mbi Serbinë dhe perëndimi të bëjë presion Serbisë që ne të arrijmë disa qëllime të vjetra të cilat nuk i kemi arritur t’i përmbushim në këto 15 vjetët e fundit. Ne e shohim si urgjente, si jetike arritjen e një marrëveshje me Serbinë”, ka thënë Hoxhaj.

Madje sipas tij Serbia synim të dialogut e ka që ta mbajë Kosovën në status-quo, e që këtë stagnim ai po e quan recetë e shkatërrimit për vendin.

“Serbia vjen në dialog çdo herë për të mos u marr vesh me ne, për të blerë kohë, për ta mbajtur Kosovën në status-quo. Por status-quo në Kosovë është një çështje, recetë e shkatërrimit. Prandaj është jetike që kjo të ndodhë”, tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se se dialogu për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk ka ndonjë hap konkret në këtë proces.

“Prej dialogut që ka qenë në fazën e fundit për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk po shohim ndonjë hap konkret karshi dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi

Sipas saj, nuk ka shpresë që qeveria të përmbyll temën e dialogut Kosovë-Serbi.

“Me këtë Qeveri nuk kam shpresë se do ta përmbyllë temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë sepse është kthyer në dialog teknik dhe atakimet nuk po bëhen të nivelit të lartë dhe nuk pres ndonjë zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi”, ka përfunduar ajo.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së dialogu në plotni ka humbur nga konteksti që e synon Kosova, andaj kërkesa e tyre mbetet njohje të ndërsjellë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kërkojnë që më shpejt të jetë e mundur të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme për dy shtete.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

“Ne kërkojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme për dy shtete me njohje reciproke me lidershipin amerikan në mënyrë që kjo çështje të trajtohet. Për AAK-në kjo është e rëndësishme dhe ky është qëndrimi ynë. Ajo që duhet është ta bëjmë punën tonë dhe duhet të ikim nga dialogu teknik dhe të fokusohemi në njohje reciproke”, ka thënë Tahiri./Shqip.com