Sport Shqiptar

Operohet futbollisti nga Kosova i Vllaznisë së Shkodrës

FOTO: KF Vllaznia - Faqja Zyrtare
FOTO: KF Vllaznia - Faqja Zyrtare

Lëndimi i futbollistit nga Kosova, Esat Mala ka tronditur jo pak ambientin te Vllaznia.

Sulmuesi anësor nga Prizreni ishte padyshim nga më të mirët te kuqeblutë, por një rrëzim në minutat e fundit ndaj Partizanit, bëri që të dilte me ndihmën e barelës.

Dy ditët e fundit është folur shumë në lidhje me dëmtimin e tij, teksa pasditen e sotme ka reaguar vetë klubi duke dhënë më shumë detaje për rikuperimin.

Vllaznia njofton se Mala theu klavikulën gjatë rrëzimit dhe iu desh t’i nënshtrohej një operacioni për rikuperimin.

Sulmuesi anësor pritet të nisë aktivitetin e lehtë fizik vetëm në fund të muajit, teksa për rikuperimin e plotë do të duhen 6-8 javë.

Njoftimi i Vllaznisë

I dëmtuar rëndë në ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit, futbollisti Esat Mala i është nënshtruar ditën e sotme një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët kanë konstatuar një thyerje të klavikulës dhe për këtë arsye, ka qenë e nevojshme ndërhyrja. Ajo është zhvilluar në një nga spitalet e kryeqytetit nga Prof. Dr. Kenan Bayrakci dhe ka konsistuar në riponim me protezë të pjesës së thyer. Pjestarë të stafit mjekësor të Vllaznisë që kanë qenë pranë lojtarit ditën e sotme, bëjnë të ditur se gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur për të dhe tashmë do t’i duhen 15 ditë mobilizim, reabilitim fizioterapik. Ndërkohë pas 30 ditësh, futbollisti do të fillojë të bëjë një aktivitet të lehtë fizik, kryesisht me ushtrime dhe vrapime. Sipas mjekëve, rikuperimi i plotë do të zgjasë 6-8 javë. KF Vllaznia i uron futbollistit Esat Mala shërim të plotë dhe rikthim sa më të shpejtë në gjirin e ekipit!

/Shqip.com