Lajme

Omicron më i shpejtë, por a është më i rrezikshëm se variantet tjera të COVID-19?

Varianti i ri i COVID-19, Omicron

Varianti i ri i Coronavirusit, Omicron, mund të përhapet më shpejt se variantet tjera të shfaqura deri më tani. Kjo pasi që të dhënat e fundit tregojnë që ky lloj i ri i COVID-19 ka pësuar mbi 50 mutacione, 30 prej të cilave janë në nivelin ‘spike protein’.

Kështu thotë Arbër Shehu, doktor dhe hulumtues mjekësor në spitalin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili shton se duhet monitorim i kujdesshëm për të kuptuar më shumë rreth karakteristikave të këtij varianti të virusit.

Se varianti i ri paraqet rrezik të madh për rritjen e infeksioneve në të gjithë botën, ka paralajmëruar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila tha se Omicron mund të çojë në pasoja të rënda në disa rajone.

Edhe infektologu Ilir Tolaj, thotë se në aspektin e përhapjes mund të jetë më i efektshëm sesa variantet e deritashme, por nuk dihet nëse simptomat dhe ecuria e sëmundjes do të jetë relativisht e lehtë sikurse e llojeve tjera.

Infektologu Ilir Tolaj

I pyetur nëse mund ta thyejë mbrojtjen vaksinale ky variant, Tolaj thotë se nevojiten së paku disa javë për të ardhur deri në një përfundim të kësaj pyetje.

Të njëjtin mendim e ka ndarë edhe Shehu, i cili tha se në fazën e tanishme, është shumë herët për të dhënë prognoza të ndryshme.

“Kur u paraqit varianti Delta, ishte brengosëse se sa mund të jenë vaksinat efektive ndaj atij varianti, mirëpo, fatmirësisht, vaksinat treguan efikasitet të lartë edhe në mbrotje edhe ndaj Deltas. Duhet së paku disa javë për të kuptuar se sa efektive mund të jenë vaksinat e deritanishme edhe ndaj këtij varianti”, u shpreh ai.

Arbër Shehu – doktor dhe hulumtues mjekësor në spitalin Johns Hopkins në SHBA

Thirrjet e shumta për vaksinim, që së fundmi i bëri edhe OBSH-ja për sa i përket shpërndarjes së vaksinave në vendet e varfra dhe reagimet parandaluese të shumë vendeve, njohësit mjekësorë thonë se janë duke u bërë në stilin e reagimeve të fillimit të pandemisë.

“Meqë ecuria klinike duket se është e lehtë me këtë variant, mendoj se edhe reagimet duhet të jenë më të matura dhe më të studiuara”, thotë infektologu Tolaj.

Ndërkaq hulumtuesi mjekësor në spitalin Johns Hopkins, thotë se duhet patjetër kujdes i shtuar, pasi që nuk dihet saktë se si mund të sillet varianti Omicron.

“Marrja e masave mbrojtëse varet prej vendeve të ndryshme dhe politikave shëndetësore të tyre. Pastaj, shkalla e vaksinimit në nivel vendi si dhe respektimi i rekomandimeve rreth masave mbrojtëse të WHO, ECDC, CDC etj, mund kontibuojë në zvogëlimin e përhapjes”, tha Shehu teksa numëroi mundësitë për parandalimin e përhapjes së këtij varianti.

Derisa Tolaj theksoi se masat kufizuese nuk mund ta parandalojnë përhapjen, por duhet të synojnë që infeksioni të mos përhapet në mënyrë të pakontrolluar, Shehu thotë se shpresa mbetet te efektiviteti i vaksinave mbi këtë variant të virusit.

“Marrja e dozës shtesë sidomos te kategoria e caktuar e individëve që e kanë imunitetin e dobësuar dhe personat me sëmundje të ndryshme, do të ndihmonte në uljen e hospitalizimit dhe mos-ngarkesën e sistemit shëndetësor”, thotë ai.

Ekspertët shëndetësorë thonë se mënyra më e mirë që Kosova të evitojë problemet që mund t’i shkaktojë ky variant i virusit në shëndetin publik janë kufizimi i orarit të kafiterive dhe hotelierisë gjatë muajve të ftohtë dhe respektimi i masave dhe rekomandimeve të nxjerra nga organet kompetente.

Shqetësimi që është shfaqur me daljen në pah të këtij varianti, sipas Shehut është sepse ndryshimet që janë parë në variantet e reja, te Omicron janë “të gjitha në një”.

Raste të infektimit me këtë variant kanë raportuar tashmë disa vende, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Portugalinë, Belgjikën, Republikën Çeke dhe Holandën.

Varianti i ri ka bërë që Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të vendosin ndalim udhëtimi në vendet e Afrikës së Jugut – një vendim ky i kritikuar fuqishëm nga presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Japonia ka njoftuar se do t’i mbyllë kufijtë e saj për vizitorët e huaj nga mesnata e së martës, ndërsa Australia ka pezulluar planin e saj për të lehtësuar kufizimet në kufij.

Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha të hënën se Qeveria amerikane po punon me kompanitë farmaceutike për të bërë plane emergjente, nëse nevojiten vaksina të reja.

Ai shtoi se SHBA-ja nuk do të futet në izolim gjatë dimrit të ardhshëm, por u bëri thirrje njerëzve që të vaksinohen dhe të veshin maska në ambiente të brendshme publike. /Shqip.com

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden