Lajme Botë

OKB: Nga ushqimi joadekuat, u rrezikua jeta e mbi 258 milionë njerëzve  

Një burrë u ndan ushqim disa njerëzve në Kabul, Afganistan. Foto: AP
Një burrë u ndan ushqim disa njerëzve në Kabul, Afganistan. Foto: AP

Mbi çerek miliard njerëz në 58 vende të botës u përballën me pasiguri akute ushqimore vitin e kaluar shkaku i konflikteve, ndryshimeve klimatike, efekteve të pandemisë COVID-19 dhe luftës së Rusisë në Ukrainë, sipas një raporti të publikuar të mërkurën.

Pasiguria akute ushqimore përshkruan situatën kur jeta e një personi vihet në rrezik shkaku i pamundësisë së tyre për të konsumuar ushqim adekuat.

Raporti Global për Krizat e Ushqimit, një aleancë e organizatave humanitare e themeluar nga OKB-ja dhe Bashkimi Evropian, tha se njerëzit u përballën më vdekje nga uria në shtatë vende: Somali, Afganistan, Burkina Faso, Haiti, Nigeri, Sudan të Jugut dhe Jemen.

Në raport thuhet se numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore dhe që kërkojnë ndihmë urgjente ushqimore – gjithsej 258 milionë – është rritur për të katërtin vit radhazi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi këtë si dëshmi për “dështimin e njerëzimit” në qëllimin për t’i dhënë fund urisë në botë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres

Edhe pse në raport thuhet se rritja e numrit të personave që përballen me këto probleme mund të jetë pjesërisht shkaku i rritjes së numrit të popullsive që u analizuan, ata thanë se gjithashtu u vërejt “një tendencë shqetësuese e përkeqësimit”.

Rein Paulsen, drejtor i emergjencave për Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, tha se një numër i madh i arsyeve po ndikonin që të përkeqësohej situata. Arsyet, sipas tij, përfshijnë konfliktet, ndryshimet klimatike, ndikimin e pandemisë COVID-19 dhe pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë që ka pasur ndikim në tregtinë globale të plehrave, grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, raporton REL.

Ndikimi ka qenë më i ndjeshëm në vendet më të varfra që varen nga importi i ushqimit. “Çmimet janë rritur (dhe) ato vende janë ndikuar negativisht”, tha Paulsen.

Komisionerja e BE-së për partneritetin ndërkombëtar, Jutta Urpilainen, tha se strategjia e bllokut për ta luftuar urinë përfshin mbështetjen e nismave që synojnë “të rrisin prodhimin vendas dhe të reduktojnë varësinë nga importet e paqëndrueshme”.

/Shqip.com