Lajme Botë

OKB-ja do të dërgojë ndihma humanitare në Nagorno-Karabakh

OKB-ja do të dërgojë një mision në Nagorno-Karabakh këtë fundjavë për të vlerësuar kryesisht nevojat humanitare, njoftoi zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric, duke shtuar se organizata ndërkombëtare nuk kishte akses në rajon “për gati 30 vjet”.

“Qeveria e Azerbajxhanit dhe OKB-ja kanë rënë dakord të dërgojnë një mision në rajon. Misioni do të zhvillohet këtë fundjavë. Ne nuk kemi pasur akses në këtë zonë për gati 30 vjet, për shkak të situatës së komplikuar gjeopolitike, kështu që është shumë e rëndësishme të jemi në gjendje të hyjmë,” tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Një ekip prej 10 anëtarësh i udhëhequr nga zyrtarë nga Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) do të vlerësojë situatën në terren dhe të identifikojë nevojat humanitare, si për njerëzit që kanë mbetur ashtu edhe për ata që janë zhvendosur. Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, duke cituar qeverinë armene, 97,735 persona nga Nagorno-Karabakh kanë hyrë në Armeni.

“Ne duhet t’i kujtojmë të gjithë botës nevojën për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht në aspektin e të drejtave të njeriut,” shtoi ai, duke vënë në dukje megjithatë se asnjë përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk do të merrte pjesë në këtë “mision fillestar” e cila do të fokusohet vetëm në çështjet “humanitare dhe të mbrojtjes”.

Bashkimi Evropian më herët sot kërkoi që një mision i OKB-së të lejohej të lëvizte në Nagorno-Karabakh “brenda ditëve të ardhshme” përballë një “eksodi masiv” të armenëve që largoheshin nga enklava si rezultat i operacionit ushtarak të Azerbajxhanit.

Stéphane Dujarric shpjegoi se OKB-ja po punon me qeverinë armene për t’u marrë me këtë fluks refugjatësh që kalojnë kufirin.

“Ekipet e UNHCR-së kanë qenë në terren në kufi që nga dita e parë kur grupi i parë i refugjatëve mbërriti të rraskapitur, të frikësuar dhe të shqetësuar për të ardhmen,” vuri në dukje ai. HCR kryesisht ofron asistencë në pajisje teknike (kompjutera, tableta) për regjistrimin e refugjatëve.

/Shqip.com