Lajme Botë

OKB: India e kalon Kinën me 2.9 milionë njerëz, si vendi më i populluar në botë

Njerëzit blejnë në një treg të mbushur me njerëz në lagjet e vjetra të Delhi, Indi, 11 tetor 2022. Foto: Reuters
Njerëzit blejnë në një treg të mbushur me njerëz në lagjet e vjetra të Delhi, Indi, 11 tetor 2022. Foto: Reuters

India pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në mesin e këtij viti, me pothuajse tre milionë banorë më shumë, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliard banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliard banorësh, ka treguar një raport i Fondit të OKB-së për Popullsinë, i publikuar më 19 prill.

Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Zedong.

Shumë njerëz kanë vlerësuar se përgjegjës për ngadalësimin janë rritja e kostos së jetesës, si dhe rritja e numrit të grave të punësuara dhe me arsimim të lartë, raporton AFP.

Pekini ka ndërprerë më 2016 politikën e rreptë “një fëmijë”, të vendosur në vitet e 1980-ta, mes frikës nga mbipopullimi, dhe nga viti 2021 ka filluar t’u lejojë çifteve të kenë tre fëmijë.

Grafika e Reuters

India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë i ka, sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011.

Regjistrimi, që India e bën një herë në dekadë, ishte paraparë të kryhej më 2021, por është shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhënat për çështje të nxehta, si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, që parashihen të mbahen vitin e ardhshëm.

Sipas qendrës hulumtuese Pew, popullsia e Indisë është rritur për më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, tha se dividentët e popullsisë nuk vareshin vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia.

“Popullsia është e rëndësishme, por talentet janë gjithashtu të rëndësishme… Kina ka marrë masa aktive për t’iu përgjigjur plakjes së popullsisë”, u tha Wang gazetarëve të mërkurën, raporton Reuters.

“Siç vuri në dukje Kryeministri Li Qiang, dividenti ynë i popullsisë nuk është zhdukur. Dividenti ynë i talenteve po lulëzon dhe shtysa për zhvillim është e fortë”, tha ajo.

/Shqip.com