Lajme

Ogerta Manastirliu merret në pyetje nga SPAK, ministrja mbi dy orë para prokurorëve

Ministra e arsimit dhe sportit, Ogerta Manastirliu ka qenë 2 ore e 15 minuta ne SPAK. Zyrtarja e lartë u paraqit në prokurorinë e posaçme e vetme.

Sipas burimeve, Manastirliu është paraqitur në cilësinë e personit qe ka dijeni për çështjen e sterilizimit, për kohen kur ka drejtuar QSUT-në.

Më herët Beqaj i ka kërkuar prokurorëve të SPAK hetimin për Sterilizimin, jo vetëm gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Demokratike, por dhe më vonë, pasi ai u largua si ministër dhe u zëvendësua nga Ogerta Manastirliu.

“Besoj se hetimet janë ende shumë të ngushta është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vjet e gjysmë u mbaj ai central dhe nuk u vu në punë, por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit nga zbatimi i kësaj kontrate” u shpreh ish-ministri ndërsa doli nga SPAK në fillim të vitit.

Pretendimet e tij synojnë hetimin e ndryshimit të kontratës nga Ogerta Manastirliu në Janar të vitit 2020, kur është shtuar numri i seteve kirurgjikale të parashikuar në kontratë, që ishin 63 mijë copë për një vit.

Asokohe Ogerta Manastirliu e justifikoi ndryshimin e kontratës me nevojën për sete të tjera mbi 63 mijë që do merreshin me 25% ulje, pasi operacionet në një vit shkonin deri në 90 mijë.

Kërkesa e Ilir Beqajt në SPAK ka të bëjë pikërisht me këtë ndërhyrje në kontratë, që sipas ka ndikuar në shtimin e kostove në buxhetin e shtetit dhe për të cilat ai nuk pranon të mbajë fajësinë.

Beqaj është larguar si Ministër i Shëndetësisë në vitin 2017 dhe u zëvendësua atëherë nga Ogerta Manastirliu.

Ogerta Manastirliu qëndroi në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë për 6 vjet dhe u larguar në shtator të vitit 2023 kur u emërua ministre e Arsimit.

/Shqip.com