Ekonomi

OEK bën thirrje të ulet akciza për naftën dhe TVSH-ja për disa produkte

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se ulja e akcizës për naftën dhe ulja e TVSH-së për produktet bazike janë disa nga propozimet që ua lehtësojnë qytetarëve përballjen me rritjen e çmimeve.

Kryetari i kësaj ode, Berat Rukiqi, ka thënë se për këto rritje të çmimeve, shteti nuk mund të ndikojë aq sa dëshiron, sepse me këtë lloj “krize” është duke u përballur pothuajse i gjithë globi.

Ai ka shtuar se shtesat që ka ndarë së fundi Qeveria për skemat sociale e pensionale nuk do ta zgjidhin problemin.

“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat mund të zbusin situatën, por nuk mund të tejkalojnë një problem, i cili është global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë sesa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa janë kategoritë sociale për të cilat duhet ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to”, ka thënë Rukiqi, raporton ‘Koha’.

“Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit, të cilëve u është rritur kostoja e prodhimit. Kështu, qeveria duhet të shikojë mundësinë që të ketë për shembull intervenime tek akciza për naftën, për vajrat, për gazin”, ka shtoi më tej ai.

I pari i Odës Ekonomike ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale, që sipas tij, do të ishte hap i mirë, por duke respektuar kriteret.

“Ne nuk kemi kundërshtuar rritjen e pagës minimale, duke u bazuar në shumë faktorë tash. Normalisht që njëra prej kritereve për me u rritë paga minimale është shkalla e inflacionit në vend. Nuk është imja ta kërkoj si komunitet i biznesit, mirëpo konstatimi im në këtë rast dhe qëndrimi ynë si Odë Ekonomike ka qenë se ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagës minimale nëse respektohen kriteret e caktuara”, është shprehur Rukiqi. /Shqip.com