Ekonomi

OEGJK: Kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimi në Kosovë

Oda Ekonomike Gjermane Kosovare, ka deklaruar se po ndjek me shqëtsim zhvillimet në veri të Kosovës.

Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se antarët e OEGJK-së, janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese.

“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDËV-OEGJK) po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara”, thuhet në njoftim.

Tutje, u tha se lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme,e kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes.

“Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik”, thuhet tutje.

/Shqip.com