Lajme

Oda e Mjekëve kërkon zbatimin e ligjit anti-COVID

Foto ilustruese

Oda e Mjekëve të Kosovës ka kërkuar nga të gjitha institucionet gjegjëse publike që të vihen në zbatim të plotë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë.

Nga kjo odë thonë se “situata pandemike është duke eskaluar dhe se kapacitetet infrastrukturore dhe ato njerëzore nuk lejojnë komoditet institucional sa i përket zbatimit të masave parandaluese”.

Kjo pasi java e fundit ka shënuar rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me variantin DELTA të virusit COVID-19 në vend.

“Krahas nevojës që të rritet rigoroziteti i zbatimit të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID, Oda e Mjekëve konsideron se është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse, qofshin ato të sistemit profesional shëndetësor apo edhe administrativ, të përfshihen në një fushatë vetëdijësuese lidhur me rëndësinë jetike për t’u vaksinuar qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Për të qenë efektiv procesi i vaksinimit, OMK-ja thotë se domosdoshmërisht do të jetë e nevojshme që të menaxhohet me kujdes personeli shëndetësor.

“Gjithherë duke pasur parasysh që tani e dy vjet me radhë personeli është i mbiangazhuar për t’u përballë me këtë situatë sfiduese”.

“Poashtu, menaxhmenti i institucioneve shëndetësore, kësaj radhë duhet të ketë kujdes dhe të përdorë expertizë në sistematizimin e personelit shëndetësorë nëpër “klinikat Covid”, në atë mënyrë që të mos përsëriten gabimet e valëve të kaluara dhe të dëmtohen shërbimet e tjera të mbingarkuara si emergjencat dhe traumatologjia”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të fillojë menjëherë zbatimin e ligjit anti-COVID’19.

“Apelojmë popullatës së Republikës së Kosovës, se tani mbi të gjitha është prioritet ruajtja e shëndetit publik dhe “shëndeti” i institucioneve shëndetësore dhe se kjo betejë nuk i takon vetëm punëtorëve shëndetësorë por secilit prej nesh”.

“Oda e Mjekëve shpreh gatishmërinë që të jap kontributin e vazhdueshëm siç e ka dhënë deri më tani, që për çfarëdo veprimi bashkë-institucional si dhe do të jetë përkrah personelit shëndetësor në luftën kundër pandemisë COVID-19”./SHQIP.com