Lajme

Oda e Hotelerisë kundër vendimit të Qeverisë: Gastronomia nuk është vatër e infektimit

Gastronomia

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit së fundmi ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për masat e reja kundër Coronavirusit.

OHT nuk e sheh të arsyeshëm vendimin për mbylljen e lokaleve në ora 21.00.

Për më tepër, thonë se “hotelieria-gastronomia nuk ka qenë dhe nuk është vatër e infeksioneve”.

“Pse bizneset nuk punuan deri tani me kapacitete të plota, pse dasmat nuk u lëshuan dhe asnjë masë nuk u lehtësua as edhe për festat e fundvitit, pavarësisht kërkesave dhe presioneve tona! Edhe përkundër kësaj, rastet u rritën dhe kësaj radhe si asnjëherë më parë! Dhe me këtë viem në përfundim që hotelieria/gastronomia nuk ka qenë dhe nuk është vatër e infeksioneve”, thuhet në reagim.

OHT thekson se si sektor janë më të dëmtuarit dhe më të pa mbështeturit nga Institucionet e Kosovës.

Ilustrim

“Përveç këtyre duhet ta ripërmendim prap që si sektor jemi më të dëmtuarit, dhe më të pa mbështeturit nga Institucionet e Kosovës, pra nuk është bërë asnjë subvencionim ndaj këtyre sektoreve, edhe një ndihmë sadopak e vogël që ka qenë ajo e TVSH%-së tani veçse është ngritur prapë në 18%!”.

Në fund, vlerësojnë se rritja e numrit të të infektuarve “është një fatkeqësi, dhe krejt kjo po ndodh falë neglizhencës së Qeverisë si ndaj shëndetit publik ashtu edhe ndaj shëndetit ekonomik”.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kanë rezultuar 3 mijë e 206 raste të konfirmuara me COVID-19.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes./Shqip.com