Lajme

Oda e Avokatëve reagon në lidhje me të ndaluarin për falsifikim dokumentesh

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj lajmit se njëri nga të ndaluarit sot për falsifikim dokumentesh është me profesion avokat.

Sipas njoftimit e dërguar për media që ka ardhur nga OAK, bëhet e ditur se personi i ndaluar me inicialet M.T, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Tutje në njoftimin bëhet e ditur se për shkak të hetimeve të Prokurorit të Shtetit, OAK nuk mund të bëjë publike detajet e tjera, mirëpo reagimi i tyre ka ardhur si pasojë e apostrofimit të profesionit të avokatit.

“Për shkak të hetimeve fillestare të Prokurorit të Shtetit, OAK nuk mund të bëjë publike detaje të tjera,  por meqenëse është apostrofuar profesioni i avokatit, nëpërmjet këtij reagimi kërkon nga Institucioni i Prokurorit të Shtetit, që të ruaj imazhin e avokatit dhe avokatisë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se gjatë ditës janë ndalur dy persona të cilët dyshohen për mashtrim e falsifikim me dokumente.

/Shqip.com