Lajme

Oda e Avokatëve i reagon Haxhiut e cila i kritikoi për mosbashkëpunim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Oda e Avokatëve e Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Oda e Avokatëve është institucioni i vetëm me të cilin nuk po gjejnë bashkëpunim dhe se kësaj të fundit po i mungon vullneti për të bashkëpunuar mbi raportin me rekomandimet që dalin nga strategjia për sundimin e ligjit.

Në reagimin e kësaj Ode thuhet se gjithmonë do të jetë bashkëpunuese me institucionet relevante, sidomos kur bëhet fjalë për strategjitë që përgatitin sistemin e drejtësisë që të jetë efektiv dhe transparent.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, siguron anëtarësinë e vet dhe opinionin e gjerë se asnjëherë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë jo bashkëpunuese me institucionet relevante, sidomos jo kur bëhet fjalë për strategjitë që përgatitin sistemin e drejtësisë që të jetë efektiv dhe transparent, në raport me ata që kanë nevojë për sistemin e drejtësisë, por nuk është dhe nuk do të pranoj që profesioni i Avokatisë të nëpërkëmbet deri në masën sa tu përcaktohen detyra pa u konsultuar fare, derisa ne përsërisim kërkesën tonë konsekuente, se do të këmbëngulim në rritjen e tarifës për angazhimet e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, pasi që është dhe mbetet e domosdoshme për avokatët”.

Tutje thuhet se Oda e Avokatëve të Kosovës sa i përket obligimeve të saj që dalin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, ka treguar bashkëpunim të lartë duke mbështetur projektin që lidhet me ndërmjetësimin si procedurë alternative për zgjidhje të kontesteve/konflikteve në Kosovë, duke zhvilluar takime me shefin e INL, Shawn Waddoups, më 16 mars 2022, pastaj OAK ka marrë pjesë në Tryezën e rrumbullakët për Koordinimin Ndërinstitucional për Ndërmjetësimin Penal, të organizuar nga Ambasada e SHBA-së, përkatësisht Zyra për çështjet ndërkombëtare si dhe zbatim të ligjit/shërbimi federal i ndërmjetësimit dhe pajtimit të SHBA, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, më datë 22 shtator 2022. Gjithashtu Oda e Avokatëve të Kosovës, lidhur me strategjinë, ka bërë njoftimin përmes ueb faqes së saj zyrtare më datë 22 shtator 2022.

“Duke pasur të gjitha këto paqartësi, duke mos qenë e kyçur në fillimet e projektit si tërësi, OAK nuk ka pasur mundësi të raportojë për detyrimet qe i janë caktuar nga të tjerët pa u pyetur ajo, por që më parë më datë 22.09.2022, OAK ka pasur takimin e parë me zyrtarët e Rishikimit funksional të Sektorit të sundimit të Ligjit, ku pas sqarimeve detale që ka marrë është dakorduar mënyra dhe forma e raportimit të OAK-së, por që kjo nuk ka interferuar te ministrja Haxhiu pasi nuk ka pasur rëndësi për Strategjinë që ka ministrja në raport me përpjekjen e saj për dëmtimin e imazhit të OAK-së”./SHQIP.com