Lajme

Oda e Afarizmit: Pushimi i lehonisë të mbulohet 100 për qind nga shteti

ilustrim

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pushimi i lehonisë të mbulohet 100 për qind.

Sipas tyre kjo të bëhet në mënyrë që të kontribuojë në përkrahjen e drejtpërdrejt të bizneseve dhe në rritjen e punësimit të grave.

“Pushimi i Lehonisë të mbulohet 100% nga shteti Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përmes një shkresë drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Kryetarit të Kuvendit, Ministrit të Financave dhe Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka kërkuar që në buxhetin e vitit 2023 të parashihet mbështetje për gratë të cilat janë në Pushim të Lehonisë dhe kësisoj kjo barrë të largohet nga bizneset dhe njëkohësisht shteti të merrë përsipër pagesën 100% të Pushimit të Lehonisë në mënyrë që të kontribuojë në përkrahjen e drejtpërdrejt të bizneseve dhe në rritjen e punësimit të grave”.

Tutje në njoftim thuhet se dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, duke vlerësuar situatën në vend ka kohë që është duke ngritur si çështje të rëndësisë nacionale mosmbulimin e Pushimit të Lehonisë nga ana e shtetit e për të cilën janë mbajtur takime të vazhdueshme me institucionet vendore, por fatkeqësisht situata ka mbetur edhe më tutje e pandryshueshme.

“Në bazë të takimeve të vazhdueshme të zhvilluara me bizneset në terren rezulton se është barrë shumë e rëndë për bizneset që të paguhen dy paga për një vend pune, një për kompensimin e Pushimit të Lehonisë dhe paga tjetër për një punëtor që janë të detyruar ta marrin për të zëvendësuar atë që shkon në pushim. Kjo bëhet barrë shtesë për biznesin veçanarisht duke marrë parasysh gjendjen edhe ashtu të rëndë të të bërit biznes në vend, si rezultat i goditjes fillimisht nga pandemia Covid-19, më pas luftës në Ukrainë, problemeve me energjinë elektrike dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjithë artikujve”./SHQIP.com