Lajme Botë

OBSH paralajmëron se pandemia nuk ka përfunduar pas rritjes së rasteve me COVID-19 në Evropë

OBSH

Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se pandemia COVID-19 “nuk e ka fundin afër”, transmeton Shqip.com.

Ai ka kundërshtuar disa nga supozimet se varianti i ri “Omicron” është tepër më i lehtë dhe se s’ka rrezik nga ky virus, raporton BBC.

Ky reagim vjen pasi që shtetet evropiane regjistruan shifra rekorde, ku vetëm Franca shënoi gati gjysmë milioni raste të reja për një ditë.

Teksa foli në një konferencë për media, Tedros tha se “Omicron” ka çuar në 18 milionë infektime të reja për një javë në gjithë botën.

Sipas tij, përderisa varianti ka dalë të jetë më pak i rrezikshëm në mesatare, deklarimi se është sëmundje e lehtë është mashtrim.

“Mos gaboni, Omicroni çon në shtrirje në spital e në vdekje, e madje edhe rastet më pak të rënda po mbushin spitalet”, ka thënë ai.

Po ashtu, kreu i OBSH-së ka paralajmëruar se me rritjen e jashtëzakonshme të rasteve me “Omicron” në botë, variantet e reja pritet të shpërthejnë, prandaj mbetet kritike përcjellja dhe trajtimi./SHQIP.com