Lajme Botë

OBSH: Ende nuk është regjistruar asnjë vdekje nga Omicron

OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se varianti i ri i Coronavirusit, Omicron, është shfaqur në 38 vende të ndryshe, por që deri më tash nuk është raportuar për ndonjë vdekje, transmeton Shqip.com.

Zëdhënësja e OBSH-së, Christian Lindmeier ka thënë se ende nuk ka asnjë informacion për vdekjen e ndonjë personi që ishte i infektuar me Omicron, raporton The Guardian.

“Unë nuk kam marrë asnjë informacion se ka vdekur ndonjë person që ishte infektuar me omicron”, tha ajo.

Ndërkaq, Maria Van Kerkhove, menaxhere teknike e OBSH-së për COVID-19, u shpreh se Omicron ishte zbuluar në 38 vende dhe se varianti i ri ishte përhapur në gjashtë rajone të OBSH-së.

Sipas Organizatës, do të duhen disa javë për të marrë pamje të saktë të efekteve të mundshme të Omicron.

“Të dhënat paraprake tregojnë për transmetim më të gjerë, por kjo është gjithçka që dimë tani për tani”, shpjegoi Lindmeier.

Sipas statistikave të OKB-së, rreth 65 për qind e popullsisë së vendeve më të zhvilluara kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19, krahasuar me vetëm 7 për qind në vendet më pak të zhvilluara./SHQIP.com