Kulturë

Observacione mbi përmbledhjen me poezi “Pemë e egër” të Artan Kajtazit

“Pemë e egër”, libri më i ri poetik i Artan Kajtazit
“Pemë e egër”, libri më i ri poetik i Artan Kajtazit

Observacione mbi përmbledhjen me poezi “Pemë e egër” të Artan Kajtazit

Shkruan: Prof. Dr. Besim REXHAJ

Poezia e Artan Kajtazit, e përmbledhur në vëllimin me poezi me titullin Pemë e egër, është poezi e cila, para së gjithash, ndërtohet mbi metaforën poetike dhe, me anë të kësaj figure poetike, artikulon meditimet, temat dhe motivet, të cilat preokupojnë botën e poetit.

Siç e sugjeron edhe titulli i poezisë Pemë e egër, në bazë të së cilës edhe është titulluar kjo përmbledhje poetike, autori, duke e identifikuar të keqen dhe format e manifestimit të saj, artikulon qëndrimin e tij ndëshkues ndaj të kësaj të keqeje:

Pashë ligësi shushunje
strofuj lepujsh
e fole grerëzash
n’pemë t’egër!.

Qëndrimin e tij ndaj fenomeneve, ndaj veseve dhe manifestimeve negative, të pranishme në jetën tonë, poeti e artikulon, krahas me gjuhën e metaforës, edhe me anë të shprehjes eliptike, e cila lexuesin e nxit për thellim dhe identifikim të së keqes e të burimeve të saj, tamam siç ndodh tek poezia Zulm, e cila anatemon tërthorazi kultin e namit, vrapin pas namit dhe kotësinë e namit, bashkë me pasojat të cilat e shoqërojnë kultin e namit, aq të pranishëm në jetën tonë:

Në natën me shi e pa hënë
n’pyll dëgjova këngën e errët
t’krakëllimave t’korbave!

Të nesërmen, lartë n’kodër
ushtarët i binin fort zurnasë
pas betejës u kthyen me zulmë!.

Po ashtu, edhe te kjo poezi, krahas gjuhës metaforike dhe eliptike, hasim, në vargun fundor, edhe ironinë, gjuhën ironike, me të cilën autori godet fenomenin e namit, të famës, edhe atëherë kur shoqërohet me pasoja e me absurditet.

Artan Kajtazi, në poezitë të cilat i sjellë në përmbledhjen poetike Pemë e egër, identifikon me një gjuhë poetike fenomene të ndryshme të realitetit dhe, edhe atëherë kur për syrin e zakonshëm fenomenet jetësore perceptohen sipas logjikës së rregulltë, këto fenomene, duke u perceptuar prej një këndvështrimi të veçantë, shënjohen në ekzistencën e tyre paradoksale, të cilën syri i zakonshëm nuk e vëzhgon, siç ndodh te poezia Hi dhe Diell:

E pashë një urë pa brigje
dhe një diell që fortë ndritke
ujë s’pashë!

E pashë dhe një bari rrëzë bjeshkës
dhe një tufë ujqërish
dhi s’pashë! (…).

Po ashtu, siç u tha edhe më lartë, autori, në poezinë Si na shurdhuan, me një diskrecion poetik, me një gjuhë ironike,  artikulon absurditetin e përpjekjeve dhe të luftës, kur frutat e saj, krahas  luftës së shumicës, i gëzon një pakicë e llojit të vet:

Për luftë të tjetërkujt
çirren, brohorasin, lebetitin
e nxjerrin klithma habie!

Sa kotësi e çiltër
për një qark njerëzish
mjaft më, lëreni broçkullat!

Një pjesë të rëndësishme të preokupimit poetik të Artan Kajtazit e përbënë edhe fenomeni i qëndresës njerëzore e kombëtare, i trupëzuar në figurën heroike të Adem Jasharit e të Epopesë së familjes së tij, kur, në vargjet fundore të poezisë Zot i luftës, me një gjuhë inventive poetike artikulon, me një metaforë të llojit të vet, epopenë e qëndresës, që ta kujton mitin e Feniksit:

Tri ditë diellin e nxiu
tri net hënën e ndriti!

Ai lindi për të qenë vetë liria
një rënie si kjo, krijon çdo gjë nga hiri!

Siç mund të shihet edhe nga vëzhgimet e mësipërme, mund të thuhet se Artan Kajtazi artikulon botën e tij të brendshme dhe vëzhgimet e tij për botën e jashtme kryesisht me anë të gjuhës metaforike dhe ironike, pa përjashtuar edhe figurat e tjera, varësisht nga perceptimi dhe këndvështrimi, prej të cilit i observon fenomenet e jetës dhe të botës njerëzore.

/Shqip.com