Lajme

Nuredin Lushtaku dorëzohet në Polici, dyshohet për plagosjen e dy policëve në Skënderaj

Nuredin Lushtaku

Isah-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku është dorëzuar në Polici pasi dyshohet se ka plagosur dy policë gjatë incidentit të 2 korrikut.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Para pak minutave, Nuredin Lushtaku është dorëzuar në Polici” , tha ai.

Preteni theksoi se Lushtaku është dorëzuar me vullnetin e tij në stacion të Policisë.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale  “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës

“Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit  F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”, thuhet në njoftim.

Theksojmë se në mesnatën e 2 korrikut, ka ndodhur një përleshje fizike në Skenderaj e cila më pas ka agravuar në gjuajtje me armë zjarri e mjete të forta.

Nga kjo përleshje, të plagosur kanë mbetur dy zyrtarë të Policisë të Kosovës.

Në këtë incident dyshohet të jetë i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku./Shqip.com