Sport Ndërkombëtar

Nunez është emri – Anfield është skena – Suarez është roli

Edhe një sulmues tjetër uruguajan po i drejtohet “Anfield” me shpresën se suksesi i të parit, Luis Suarez, nuk do të mungojë, e pse jo edhe të tejkalohet.

Tanimë ish-sulmuesi i Benficas, Darwin Nunez është prurja më e re dhe më e shtrenjtë në historinë 130-vjeçare të Liverpool.

Klubi anglez pagoi 100 milionë euro (75 fikse dhe 20 milionë shtesa) për të marrë shërbimet e tij – të cilat karakterizohen me gola dhe, akoma më shumë gola.

Kjo është ajo që sulmuesi di të bëjë më së miri, gjë të cilën e ka dëshmuar qysh në kontaktet e tij të para me nivelin profesional të futbollit.

Pse e zgjodhi Klopp – Nunezin?

Pasi kaloi në radhët e gjigantëve uruguajanë Penarol përpara se të luante për Almerian në divizionin e dytë spanjoll, Nunez e dëshmoi veten si një sulmues pjellor si në ligën e parë të Portugalisë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.

Darwin Nunez (Penarol dhe Almeria)

Ai shënoi 26 gola në 28 paraqitje në ligë në sezonin 2021-22, ndërsa shënoi gjithashtu rrjetën në gjashtë raste në Evropë.

Dy paraqitjet e yllit në rritje në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpool-it ndihmuan të bindin Kloppin për aftësinë e tij; në atë kohë, menaxheri bëri një deklaratë duke e lavdëruar publikisht sulmuesin e ri.

“Vërtetë i mirë, vërtet i mirë. E dija që më parë, sigurisht, por ai luajti pak para meje me duelet e tij të vështira me Ibrahima Konate”, shpjegoi Klopp.

“Ai ishte fizikisht i fortë, i shpejtë, ishte i qetë në përfundimin (e aksionit të golit) e tij. I mirë, vërtet i mirë. Unë gjithmonë them në këto situata nëse ai është i shëndetshëm, është një karrierë e madhe përpara tij”, kishte thënë gjermani.

Këpucë të mëdha për t’u mbushur

Dikur, Merseyside kishte yllin e saj që shkëlqente sa herë futej në fushë.

“El Pistolero” u bë sulmuesi më senzacional gjatë kohës së tij në Angli, çfarë edhe bëri që Barcelona ta transferojë atë në “Camp Nou”. Por, para se t’i bashkohej gjigantit spanjoll dhe jo vetëm, Suarez ndërtoi emër për vete duke ngritur kalibrin javë pas javë në Premierligë.

Luis Suarez, Liverpool
Luis Suarez, Barcelona

Me gjithsej 133 paraqitje në të gjitha garat për gjashtë herë fituesit e Ligës së Kampionëve, Luis arriti kuotën mbresëlënëse prej 82 golash dhe 46 asistimesh.

Pas tij erdhën shumë lojtarë por asnjëri nuk i mbushi këpucët e tij. Daniel Sturridge dhe pastaj Roberto Firmino patën shanset e tyrë të shkëlqejnë – edhe pse kishin momentet e tyre të mira – por nuk ia dolën.

Aktualisht, trajneri Klopp ka në skuadër Salah, Luis Diaz, Diogo Jota, Firmino dhe Sadio Mane – me këtë të fundit që me gjasë do të përfundojë te Bayerni i Mynihut – do t’i shtojë Nunez presionin për të patur sukses.

Opsionet e sulmit të Liverpool: Salah, Jota, Mane, Diaz dhe Firmino

Efekt të njëjtë do të ketë edhe transferimi i superyllit norvegjez, Erling Haaland, te Manchester City i Guardiolas që është kundërshtari numër një i Klopp dhe Liverpool.

Sa do të fitojë Nunez te Liverpooli?

Pavarësisht se a del të jetë blerje e duhur apo jo, një gjë është e sigurtë.

Qendërsulmuesi do të fitojë 5.8 milionë euro në vit, që i bie afër 113 mijë sosh në javë.

Kontrata gjashtë vjeçare që ka nënshkruar do ta mbajë atë në “Anfield” deri në vitin 2028. /Shqip.com