Numër i madh i zyrtarëve ftohen nga prokurori Jack Smith

Prokurori i posaçëm në hetimet që po zhvillohen për ish-presidentin amerikan, Donald Trump, Jack Smith i ka dërguar fletëthirrje sekretarit të Shtetit të Gjeorgjisë, Brad Raffensperger dhe autoriteteve në qarkun Clark në Nevada.
Më këto ftesa, numri i shteteve, zyrtarët e së cilës janë marrë me zgjedhjet, ka arritur në gjashtë, raporton Washington Post.
Pas Gjeorgjisë dhe Nevadës, zyrtarët shtetërorë dhe lokalë që kanë marrë ftesa janë nga shtetet; Arizona, Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin, të dyshuar për përfshirjen e tyre në planin e dështuar të Presidentit Donald Trump, për të qëndruar në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Fletëthirrjet shkuan në qarqet Milwaukee dhe Dane County të Wisconsin, qarku Maricopa e Arizonës dhe qarku Wayne të Michiganit.
Që atëherë, sekretarët e shtetit në Arizona dhe Michigan, kanë marrë kërkesa të ngjashme, siç ka marrë qarku Allegheny në Pensilvani. Zyrtarët në Filadelfia dhe në Departamentin e Shtetit të Pensilvanisë nuk pranuan të komentojnë këto fletëthirrje pas raportimeve të bëra nga Associated Press.
Këto janë ndër thirrjet e para që kur prokurori Smith, u emërua muajin e kaluar nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, për të mbikëqyrur hetimet ndaj Trumpit, për sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, si dhe hetimin penal për keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e ish-presidentit Trump dhe në një klub privat në Florida.
“Unë mund të konfirmoj se zyrës sime iu dorëzua një thirrje në lidhje me hetimin e prokurorit special këtë mëngjes”, tha Sekretarja e Shtetit në Michigan, Jocelyn Benson javën e kaluar.
“Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar që ne të mos zbulojmë përmbajtjen e thirrjes për të parandaluar dëmtimin e hetimit dhe ne do ta respektojmë këtë kërkesë”, ka thënë tutje ajo.
Autoritetet në qarkun Clark të Nevadës, pranuan të hënën se kishin marrë një fletëthirrje të datës 22 nëntor.
Një prej personave të thirrur është edhe biznesmeni dhe politikani nga radhët e Republikanëve, Bradford Jay Raffensperger, i cili u bë i njohur, pas një telefonate më 2 janar 2021 me Trump, në të cilën ish-presidenti i kërkoi që të “siguronte” vota të mjaftueshme për të ndryshuar humbjen e tij në Gjeorgji.
Një zëdhënëse e Raffensperger nuk pranoi të komentojë mbi fletëthirrjen.
Fletëthirrja që përfshinë Gjeorgjinë, e cila mban datën 9 dhjetor, i shton provat se Departamenti i Drejtësisë po zgjeron ekzaminimin e rrethanave që çuan në sulmin në Kapitol, duke përfshirë zyrtarët e zgjedhjeve lokale dhe shtetërore, dhe ndërveprimet e tyre të mundshme me ish-presidentin dhe përfaqësuesit e tij lidhur me zgjedhjet e vitit 2020.
Statusi i hetimeve kryesore që përfshijnë Donald Trump
Hetimi i 6 janarit i Departamentit të Drejtësisë, ka përfshirë numër të madh të personave që morën pjesë drejtpërdrejt në trazirat e përgjakshme në Kapitol, si pjesë e përpjekjeve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Prokurorët po shqyrtojnë mbledhjen e fondeve, organizimin dhe retorikën që i parapriu trazirave, dhe po hetojnë përpjekjet e dështuara për të autorizuar listën alternative të zgjedhësve.
Ata siguruan fletëthirrje këtë pranverë dhe verë, për komunikime midis rrethit të brendshëm të Trump dhe shumë zyrtarëve të fushatës, zgjedhësve të mundshëm dhe të tjerëve.
Pasi Trump deklaroi muajin e kaluar se do të kërkonte sërish besimin e amerikanëve për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, emëroi Jack Smithin, për të mbikëqyrur elementët e hetimit të 6 janarit që mund të lidheshin me ish-presidentin. .
Ky i fundit për një kohë të gjatë, drejtoi seksionin e korrupsionit publik në Departamentin e Drejtësisë.
Smith gjithashtu po mbikëqyr hetimin penal të rastit të klubit Mar-a-Lago, i cili filloi këtë pranverë, pas disa muajsh mosmarrëveshjesh midis Trump dhe Administratës Kombëtare të Arkivave dhe Regjistrimeve, rreth kutive dhe dokumenteve.
Thirrjet e mëparshme në Arizona dhe shtete të tjera të fushëbetejës të shënjestruar nga Trump, u bënë pasi ish-presidenti me njerëz kryesor nga republikanët ishin pjesë e presionit për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Në këtë fletëthirrje janë kërkuar komunikimet me menaxherin e fushatës së Trump, Bill Stepien dhe këshilltarë të tjerë, përfshirë edhe Boris Epshteyn.
Pjesë të saj janë edhe avokatët e identifikuar të fushatës së Trump, Justin Clark dhe Matthew Morgan, si dhe ata që shërbejnë në funksione të tjera, si John Eastman, Rudolph Giuliani, Sidney Poëell dhe Cleta Mitchell.
Fletëthirrjet e dërguara nga Smith, u nënshkruan gjithashtu nga Ndihmës Prokurori i SHBA-ve, Matt Burke.
Jack Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale) në Hagë në vitin 2018, duke zëvendësuar David Schvendimanin.
/Shqip.com