Lajme Botë

Nuk u lejua të futej në restaurante, Presidenti i Brazilit ha picë në rrugë

Presidenti i Brazilit - Jair Bolsonaro, duke ngrënë pica në rrugët e New Yorkut pasi nuk u lejua të futej brenda pa dëshmi të vaksinimit

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, gjatë qëndrimit të tij në New York, si pjesëmarrës në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk është lejuar të futet në restaurante me ç’rast është parë duke ngrënë një copë picë në rrugë, transmeton Shqip.com.

Moslejimi për të për t’u future brenda restauranteve ka ardhur si pasojë e masës në fuqi që asnjë person i pavaksinuar nuk mund të ulet në hapësira të brendshme të lokaleve.

Bolsonaro, një populist i krahut të djathtë, dyshon në vaksinat anti-COVID dhe gjatë rrugës për në New-York tha se imuniteti i tij është mjaftueshëm i fortë për t’u mbrojtur kundër Coronavirusit.

Ministrat në qeverinë e tij postuan një fotografi të Bolsonaros dhe bashkëpunëtorëve të tij duke ngrënë pica në një nga rrugët e qytetit të New Yorkut.

Kryebashkiaku i New-Yorkut, Bill de Blasio, u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të vaksinohen para se të nisen për New-York për pjesëmarrje në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së.

“Nëse nuk doni të vaksinoheni, as mos ejani”, ka thënë de Blasio.

Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së, Abdulla Shahid, tha se për presidentët, kryeministrat dhe diplomatët e 193 vendeve anëtare zbatohet një sistem i veçantë, që do të thotë se ata nuk janë të detyruar të tregojnë dëshmi të imunizimit.

Sesioni u hap të martën pikërisht nga presidenti brazilian Bolsonaro. /Shqip.com