Lajme

Nuk përkrahet propozimi i PDK-së për tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti Pensional

Ilustrim.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës e cila ka kërkuar që t’iu lejohet qytetarëve të tërheqin mjetet financiare nga Trusti Pensional deri në 30 përqind. 

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu deklaron se kërkesa e tillë është e arsyeshme pasi ka pasur shtrenjtim të çmimeve. Thotë se qarkullimi i mjeteve financiare do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Sa më shumë mjete në qarkullim do të ketë rritje ekonomike dhe do ndihmoheshin qytetarët. Ata që kanë të ardhura më të vogla të mbështeten më shumë sepse ka pasur kërkesa të qytetarëve të riprocedohet një kërkesë e tillë dhe po besoj që për shkak të krizës ekonomike edhe rritja e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit ditor do të duhet të ketë mbështetje për qytetarët”, ka thënë ai.

Mirëpo deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja deklaron se paratë e Trustit Pensional nuk duhet të preken.

Propozimin e PDK-së e cilëson si të varfër intelektualisht.  

“E vërteta është që qytetarët e Kosovës kanë vështirësi në këtë kohë. Mirëpo qeveria duhet të përdorë mekanizma të tjerë të politikës fiskale jo të ngritën pritje në formë të propagandës që i mundëson ose të krijojë përshtypje sikurse ajo lejohet. Trusti pensional është i dizajnuar në atë mënyrë që të kursejnë qytetarët që të përballojnë konsumin pas moshës 65 vjeçare”, ka thënë Muja.

Ndonëse e kishte miratuar një vendim të tillë në kohën sa udhëhiqte me shtetit sa ishte kryeministër, Avdullah Hoti thotë se një praktikë e tillë nuk duhet të vijë në Kuvend.

Thotë se bizneset janë duke funksionuar mirë dhe punësimi është normalizuar.

“Unë besoj që duhet t’i gëzohemi faktit që po shkojmë drejt mbylljes së pandemisë. Në vitin  2020 në qeverinë tonë kur kemi propozuar vendimin  për tërheqje 10 për qind të trustit pensional e kemi bërë mbi arsyetimin se ka pasur një shok të pa precedent në ekonomi dhe shoqëri. Mijëra persona humbën vendet e punës, bizneset pësuan. Ne tash duhet të gëzohemi që po e përmbyllim pandeminë  dhe nuk ka arsye të marrim hapa radikal”, ka thënë Hoti. /Shqip.com