Lajme

Nuk miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave kufizuese

Kuvendi i Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës nuk janë miratuar rekomandimet e tri partive opozitare për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  morën vetëm 22 vota nga deputetët e të cilat ishin të pamjaftueshme.

Një ndër rekomadimet ishte të lirohen masat e kufizimit të lëvizjes me shtetet fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ilustrim

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19. Qeveria në konsultim me ekspertët shëndetësor të miratojë strategjinë për COVID-19 dhe rritjeve të kapaciteteve, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore që vlejnë edhe për institucionet shëndetësore. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerjet e barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organe e hetuesisë. Me urgjencë të sillet ligji për pagat në Kuvend miratim dhe e fundit masat për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit, sidomos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Me përfundimin e debatit për pandeminë, Kuvendi mbylli punimet për seancën e sotme.

Ndërkaq, seanca tjetër e paraparë për sot pritet të mbahet javën e ardhshme./Shqip.com