Lajme

“Nuk kam asnjë lidhje me akuzat”, Radojiçiq lajmërohet pasi i iku Policisë së Kosovës

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ka mohuar akuzat lidhur me rastin “Brezovica”, dhe sipas tij, këtë gjë “e dinë mirë edhe ata që e kanë urdhëruar këtë përndjekje politike, por edhe ata që e bëjnë atë”.

Në deklaratën e tij të publikuar nga Lista Serbe, Radojiçiq ka thënë se akuza si këto “dëshmojnë se sa të dëshpëruara dhe të pafuqishme janë kukullat shqiptare dhe mentorët e tyre të huaj”.

Lexo edhe:
“U largua me shpejtësi në drejtim të Serbisë”, policia tregon si “u iku nga duart” Radojiçiqi

“Unë e kam kuptuar prej kohësh se mbrojtja e popullit tim në Kosovë dhe Metohi do të rrezikojë veten time, familjen dhe miqtë e mi dhe do të fitojnë armiq të fuqishëm, por jam i vendosur që këto sulme nuk do të më pushtojnë, sado të fuqishëm të jenë ata që duan të më dëbojnë nga Kosova dhe Metohia”.

“Nëse dikush në Kosovë e Metohi, qoftë nga institucionet apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, mendon se me akuza të tilla të rreme mund të më dëbojë nga Kosova përgjithmonë apo të më ndajë nga bashkëkombësit e mi dhe ta dobësojë luftën për Serbinë dhe serbët, gabon rëndë”, thuhet në deklaratën e tij.

Millan Radojiçiq u arratis nga Policia e Kosovës të enjten pasdite në pikë kalimin kufitar Bërnjak.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radoiçiq është në kërkim, pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Radoiçiq dyshohet për ‘frikësim gjatë procedurës penale’, pasi i njëjti dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë. Ka tentuar t’i frikësojë që të mos dëshmojnë”, tha prokurori Maloku./SHQIP.com