Lajme

Nuk kalon rezoluta për ngritjen e koeficientit të pagave në 129 euro

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Projekt-rezolutën për ngritje të koeficientit të pagave në 129 euro, e pati prezantuar partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Për miratim të rezolutës kanë votuar 28 deputetë, 52 kanë qenë kundër dhe katër kanë abstenuar.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka prezantuar rezolutën në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.

Ai ka thënë se debati parlamentar bazohet në gjendjen e përgjithshme sociale në vend e cila sipas tij është duke u përkeqësuar.

“Qeveria nuk ka arritur që as përmes politika sociale, as financiare ta adresoj rritjen e inflacionit. Duke ditur që jemi në një situatë ekonomike në vend, duke vlerësuar edhe raportet e fundit të Bankës Botërore që të shmangët një kolaps ekonomik, është tepër me rëndësi që ky kuvend të votoj rezolutë, të ngrit koeficientin. Grupi ynë parlamentar ka bërë vlerësim dhe ka kërkuar të rritet koeficienti nga 105 ne 129”, ka thënë ai.

Buxheti i shtetit të Kosovës për këtë vit është 3.2 miliardë euro, ndërsa projektbuxheti për vitin 2024 parasheh fond prej 3.3 milionë eurosh.

Koeficienti për këtë vit është 105 euro, ndërsa në projektbuxhet është përmendur rritje prej 5 eurosh për vitin e ardhshëm.

Ndryshe, me 86 vota për, Kuvendi i Kosovës ka votuar deklaratën në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka prezantuar Rezolutën para deputetëve.

“1.Kuvendi vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike të PE në lidhje me cenimin e integritetit territorial nga Serbia. 2.Mbështet fuqishëm thirrjet për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar. 3. I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar këtë sulm. 4.Vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. 5.Fton Parlamentin që të luajë rol ende me fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës. 6.Vlerëson lartë kritikën që pe i jep qasjes destruktive të Serbisë. 7. Fton PE të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat”, ka thënë Tahiri para deputetëve.

Ndryshe më 24 shtator, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

/Shqip.com