Lajme

Nuk kalon Projektligji për tërheqjen e Trustit

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të votojë në lexim të parë Projektligjin, përmes të cilit synohej të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional.

Në momentin e votimit në sallë kanë qenë 101 deputetë, 97 prej të cilëve kanë votuar. Për kanë votuar  42 deputetë,  55 kundër.

Projektligji i ardhur në lexim të parë është përkrahur nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, duke thënë se shkatërrohet sistemi pensional.

Kujtojmë se, ky Projektligj për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Për herë të parë Projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por edhe atëherë është refuzuar nga VV-ja. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.

/Shqip.com