Lajme

Nuk ka deklaruar dënimin në Greqi/ Prokuroria i kthen përgjigje KQZ-së për Kreshnik Hajdarin

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar në shtetin grek. Në përgjigje që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Hajdari është dënuar me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.

Sipas vendimit, Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.

Vendimi i Zyrës së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme tanimë është në “duart” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cilit pritet që gjatë mbledhjes së të martës të vendosë për mandatin e socialistit Hajdari, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kuçovës më 14 maj me 600 vota më shumë se rivali i opozitës, Lefter Maliqi.

/Shqip.com