Lajme

Nuk e lirojnë ish-presidentin: Gjykatësi i Speciales thotë se ekziston rreziku që Thaçi të arratiset

Ish - presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me 29 shtator, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ka konkluduar se vazhdon të ekzistoj rreziku që Thaçi të arratiset, pengojë procedurat e kryej krime të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që  Thaçi do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së DhSK-së ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në DhsK, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim.

Sa i përket rrezikut të arratisjes, në pjesën ku flitet për lirimin me kusht, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se, siç është vërtetuar më parë, ky rrezik mund të zbutet mjaftueshëm në bazë të zotimit të Thaçit për të qëndruar në arrest shtëpiak, qoftë në Kosovë apo në një shtet të tretë me marrëveshje bashkëpunimi me DhSK-në dhe t’i përmbahet çdo kushti të vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprak.

Në vendim përmenden këto kushte i) dorëzimin e dokumenteve ndërkombëtare të udhëtimit; (ii) ndalimi i afrimit të vendeve ose personave të caktuar; (iii) ndjekja e procedurave me video-lidhje; dhe (iv) ndalimi i përdorimit të medias ose aktivitetit politik.

Sa i përket rrezikut të pengimit të progresit të procedurave të gjykatës dhe kryerjes së krimeve të mëtutjeshme thuhet se gjyqtari konstatoi se dërgimi i stafit të objekteve të paraburgimit të DhSK-së për të mbikëqyrur arrestin shtëpiak të z. Thaçi në Kosovë është një masë e paarsyeshme dhe, në çdo rast, nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara

“Dhe, në çdo rast, nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara dhe as nuk do të adresonte faktin se [REDAKTUAR]; (ii) përfshirja e Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nuk do të minimizonte mjaftueshëm rreziqet që [REDAKTUAR]; (iii) [REDAKTUAR]; (iv) kufizimi i listës së anëtarëve të familjes që lejohen të jetojnë me z. Thaçi nuk do të zbuste në mënyrë adekuate rreziqet e identifikuara; (v) çdo ndërhyrje e supozuar në të drejtën e z. Thaçi për jetën familjare ishte në proporcion me qëllimet legjitime të ndjekura;  (vi) rreziku në thelb i lartë i frikësimit ose ndërhyrjes për dëshmitarët dhe/ose anëtarët e familjeve të tyre nuk mund të zbutet në mënyrë efektive duke u mbështetur vetëm në masat mbrojtëse dhe në marrëveshjen e z. Thaçi për t’u riburgosur 30 ditë para fillimit të gjykimit pas skadimit të masat mbrojtëse të autorizuara në rastin konkret; (vii) monitorimi virtual i vizitave ndërmjet z. Thaçi dhe vizitorëve të aprovuar paraprakisht nga Zyra e Regjistrimit nuk ofron një shkallë mbrojtjeje që i afrohet mjaftueshëm masave mbrojtëse të ofruara nga monitorimi i drejtpërdrejtë në objektet e paraburgimit të DhSK”, thuhet tutje.

Sipas gjykatës, asnjë kusht shtesë, i cili mund të merret parasysh në mënyrë të arsyeshme, duke përfshirë ato të propozuara nga [REDAKTUAR] ose ndonjë kusht tjetër që mund të zbatohet qoftë në [REDAKTUAR], nuk mund të adresojë mjaftueshëm rreziqet e paraqitura nga z. Thaçi.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake thuhet se kujton se masat e vendosura në objektet e paraburgimit të DhSK-së, të parë në tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pa monitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e miratuar paraprakisht, me qëllim minimizimin e rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së krime të mëtejshme. Për më tepër, thuhet se ato ofrojnë një mjedis të kontrolluar ku një shkelje e mundshme e konfidencialitetit mund të identifikohet dhe/ose parandalohet më lehtë.

“Duke kujtuar se është në diskrecionin e gjyqtarit të procedurës paraprake që të krahasojë kushtet e propozuara nga Mbrojtja me kushtet në ambientet e paraburgimit të DhSK, gjyqtari i procedurës paraprake mbetet i bindur se kjo është vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimit të zbatueshëm në DhSK që komunikimet e z.Thaçi mund të kufizohen në mënyrë që të zbuten mjaftueshëm rreziqet e lartpërmendura”, thuhet tutje.

Gjykata po ashtu ka konkluduar që, koha që ai  ka  kaluar në paraburgim nuk është joproporcionale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9:  vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime ndaj të paktën një viktime në Komunën e Ferizajt.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/Shqip.com