Lajme

Nuhiu: Osmani, Kurti e Konjufca nuk e kanë konfirmuar ardhjen në Paradën e Krenarisë

Parada e Krenarisë, 2021

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk do të marrin pjesë në tubimin e Paradës së Krenarisë e cila mbahet sot.

Pjesëtarë dhe mbështetës të komunitetit LGBTIQ+ që do të marshojnë sot nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit me moton “Edhe në shtet edhe në familje”, nuk do ta kenë as këtë vit përkrahjen nga krerët e shtetit.

Lajmin e ka konfirmuar për SHQIP.com, Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD).

Nuhiu tha se pavarësisht që ftesa është dërguar javë më parë, nuk kanë marrë asnjë konfirmin për pjesëmarrje.

“Ftesën e kemi dërguar para dy apo tri javësh, deri tani nuk e kanë konfirmuar asnjëri pjesëmarrjen në tubim”, u shpreh ai.

Për Nuhiun nuk është çudi mospjesëmarrja e krerëve të shtetit në tubime të tilla, pasi, thotë se komunikimi me stafin e Osmanit, Kurtit e Konjufcës është shumë i vështirë.

“ Është problem me caktu takim, nuk kthejnë përgjigje” – tha ai.

“ Në të kaluarën ka qenë një bashkëpunim më i mirë se sa tash. Tash kemi regres, sepse shpesh herë po qëllojmë në vesh të shurdhë,  ndihemi të injoruar nuk kemi mundësi me komuniku lehtë me përfaqësuesit e institucioneve. Madje, në një moment kemi mendu se duhet me ndrru mëmyrën e komunikimit”, u shpreh Nuhiu.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës e ndriquar me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTIQ+

Vitin e kaluar, në Paradën e Krenarisë, nuk morën pjesë asnjë nga krerët e shtetit – Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit. Në këtë organizim, edhe sivjet do të mungojë kryekuvendari, Glauk Konjufca, pasi, sipas zyrës së tij, ai pritet të udhëtojë jashtë vendit në vizitë zyrtare.

SHQIP.com ka kontakuar me Zyren e Presidencës, por të njëjtit nuk e kanë pohuar e as mohuar pjesëmarrjen e Osmanit në këtë tubim.

E sa i përket pranimit të këtij komuniteti nga shoqëria, Nuhiu thotë se është shënuar pak progres, derisa e arsyeton faktin se “shoqëritë nuk ndryshojnë shpejtë”.

Parada e Krenarisë, 2021

Në edicionin e saj të gjashtë, Java e Krenarisë, pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+.

“Parada ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovës. Ceremonia e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë në Kosovë do t’i paraprinë realizimit të aktiviteteve tjera në kuadër të Javës së Krenarisë”, thuhet në njoftimin e grupit organizativ “Parada Pride”./Shqip.com