Sport Shqiptar

Nuhiu: Kemi analizuar ndeshjet e kundërshtarit

Ardian Nuhiu

Të enjten Drita do të përballet me Antwerpin në kuadër të Conference League.

Para ndeshjes konferencë për media ka mbajtur trajneri i skuadrës nga Gjilani, Ardian Nuhiu.

Nuhiu theksoi se skuadra e tij është gati të përballet me belgët.

“Na pret një sfidë e madhe, realisht një mundësi shumë e mirë për futbollistët tanë të tregojnë vlerat. Kemi analizuar kundërshtarin. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes. Kemi analizuar dy ndeshjet, ndaj nesh edhe atë në kampionat të Antwerp. Bëhet fjalë për një skuadër agresive, skuadër që bën presion të lartë, me individë shumë cilësor. Për të gjitha këto kemi pasur javën e kompletuar të përgatitemi. Unë kam besim të plotë te skuadra jonë që do të përforcohet mjaft mirë atë që kemi përgatitur”, tha ai.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultat të barabartë 0:0, dhe fituesi do të zbulohet në Prishtinë.

Para ndeshjes ka folur edhe trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel, i cili ka thënë se skuadra e tij është e përgatitur edhe për vazhdime.

“Duhet të sigurohemi që të avancojmë në raundin tjetër. Si do të avancojmë nuk ka rëndësi. Nuk e di se si do të paraqitet Drita, por shpresojmë të shënojmë të parët. Është e sigurt se nuk do të jetë aspak lehtë. Ne kemi gjuajtur penalltitë në stërvitjen e fundit para nisjes për në Kosovës, por nuk kemi stërvitur enkas për një gjë të tillë. Ne duhet të sigurohemi që mos të vijë puna deri te penalltitë”, është shprehur Van Bommel.

Drita pret në “Fadil Vokrri” skuadrën belge me fillim nga ora 21:00./Shqip.com