Sport Ndërkombëtar

Norris e theu trofeun e Verstappen, kaq ka kushtuar

Duket se piloti Lando Norris nuk është mësuar ende me podiumet e Formula 1, ku është ngjitur në dy garat e fundit. Ditën e diel, ai u rendit i dyti në Hungari, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet në ceremoninë e dhënies së trofeve.

Në përpjekje për të hapur shampanjën, britaniku i McLaren theu trofeun e Max Verstappen, që ishte një vazo porcelani. Në fakt, ajo ishte mjaft e shtrenjtë, pasi vlera e saj është rreth 40 mijë euro.

Dhe, për realizimin e saj, sipas organizatorëve të garës, duhen rreth gjashtë muaj punë.

McLaren dhe vetë piloti britanik kërkuan ndjesë për incidentin, madje Norris ishte në siklet, por jo aq shumë Verstappen, që e mori me sportivitet incidentin.

Ai mori trofeun e thyer në krahë dhe u largua nga podiumi i qeshur pas përfundimit të ceremonisë.

Duke parë se për ta realizuar një vazo të tillë duhen gjashtë muaj punë, atëherë Verstappen do të rimarrë një kopje të dytë të këtij trofeu pas gjashtë muajsh, në fillimin e 2024-ës. Ky trofe që u thye ishte i siguruar, ndaj prodhuesit do të marrin paratë për të bërë një tjetër.

/Shqip.com